Historia e pabesueshme nga Anglia, një ultras bëhet… anësor!

Të shtunën u luajt ndeshja e Championship-it anglez, ose divizionit të dytë Miluoll-Bolton, që përfundoi në barazim 1-1. Të dy ekipet ndodhen në zonën e ftohtë të renditjes dhe ky barazim nuk i kreu punë asnjë ekipi.

E veçanta e kësaj ndeshje ishte arbitri anësor, Stiv Perri. Më saktë, Perri është një tifoz i thekur i ekipit të Miluollit, ndërsa në këtë ndeshje kishte shkuar për të mbështetur ekipin e tij të zemrës.

Që kjo përballje nuk do të ishte një ndeshje si të tjerat, u vu re që përpara fillimit të ndeshjes. Toni Harington, arbitri i zgjedhur për të drejtuar sfidën, nuk u paraqit, sepse ishte i sëmurë. Vendin e tij e zë Li Suabej, arbitri i katërt, ashtu siç e parashikon dhe rregullorja. Në një situatë emergjente, Perri zgjidhet për të zëvendësuar Suabejn dhe për të qenë arbitri i katërt i ndeshjes.

Surprizat nuk kanë të mbaruar dhe në mesin e pjesës së parë vjen dhe dëmtimi i “kryesorit” Suabej. Ai nuk ia del të vazhdojë gjykimin e ndeshjes dhe kthehet në rolin e arbitrit të katërt.

Zgjidhja? Një nga arbitrat anësor zgjidhet për të drejtuar ndeshjen dhe në rolin e arbitrit kryesor vihet… Stiv Perri! Ai ishte nisur për të shijuar ndeshjen si tifoz, ndërkohë që papritur e kujtuar e sheh veten si arbitër anësor i ndeshjes.

Perri bën të pamundurën për të qenë në krye të detyrës, por ai është një ultras i Miluollit. Zemra e “tradhton” një moment, kur portieri i Miluollit bën një ndërhyrje të dyfishtë duke mbajtur portën të paprekur. Emocion i madh për tifozët, të cilët shpërthejnë në ovacione dhe kënaqësisë nuk i shpëton dot as Perri. Ky i fundit harron detyrën dhe feston pritjet e portierit vendas.

Një situatë kaotike. Arbitri kryesor u dëmtua gjatë nxehjes dhe një fans i Miluollit u bë arbitër i katërt. Pastaj, papritmas, i njëjti tifoz mori rolin e arbitrit anësor. Vetëm Zoti e di se çfarë do të kishte ndodhur, nëse ndodhte dhe një tjetër dëmtim… Kur ai festoi pritjen e portierit vendas, ne i thamë njëri-tjetrit: ‘Eh mor mik, duhet të ishe i paanshëm’, por më duhet ta pranoj se më pas e përmbajti veten dhe u soll në mënyrë korrekte”, u shpreh Fil Parkinson, trajneri i Boltonit, për “The Sun”.

Trajneri mik nuk ka faj, por as Stiv Perri. Përtej shakave, ëndrra e çdo tifozi është të ndihmojë ekipin e tij të zemrës të paktën një herë në jetë. Perri ia doli dhe vështirë që ai ta harrojë ndonjëherë këtë ndeshje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *