Gjatë merkatos së verës, Pako Alkaser la Barcelonën për t’u huazuar te Borusia e Dortmundit. Dy vite të vështira në Katalunjë, ndërsa aventura gjermane ka nisur në mënyrën më të mirë për sulmuesin spanjoll.
Verdhezinjtë kryesojnë Bundesligën, ndërsa 25-vjeçari ka shënuar 8 gola në kampionat. Të gjitha brenda 236 minutash, me një mesatare të frikshme prej 1 goli në çdo… 29 minuta! Dortmundi ka vendosur të ushtrojë opsionin e blerjes së tij dhe Alkaser ka rinovuar kontratën me klubin deri në vitin 2023.
Gjermanët paguan 2 milionë euro për huazimin një-vjeçar, ndërsa në total do të paguajnë 28 milionë euro, me Barcelonën që përfiton 5% të shumës, nëse Dortmundi e shet në të ardhmen.
“Jam shumë i lumtur te Dortmundi dhe ekipi është i mrekullueshëm. Ishte dhe është vendimi i duhur për mua. Do të jap maksimumin tim dhe dua t’iu falënderoj për besimin”, shprehet spanjolli për rinovimin, në një prononcim për faqen e klubit.
Për çështjen në fjalë ka folur dhe drejtori sportiv, Mikael Zork. “Sot informuam Barcelonën se do të shfrytëzojmë opsionin e blerjes së Alkaser. Pako është me gjithë zemër me ne, është integruar shpejt dhe është një pikë thelbësore e skuadrës. Ai është një golashënues i nivelit të lartë dhe ka vendosur disa ndeshje të rëndësishme në favorin tonë. Presim më shumë gola dhe asiste nga Pako në vitet e ardhshme”, përfundon zyrtari i Dortmundit.
? #Alcacer2023 pic.twitter.com/kmT5FQbPqO
— Borussia Dortmund (@BVB) November 23, 2018