Kukësi-Teuta është programuar të luhet ditën e hënë në Kamzë prej orës 14:00, por ka një problem dhe lidhet me Rexhinaldon. Sulmuesi mozambikas është ftuar nga kombëtarja e vendit të tij për ndeshjen që luan më 18 nëntor kundër Zambia.
Në Mozambik e presin sa më shpejt Rexhinaldon dhe i kanë kërkuar të niset të hënën, çka penalizon Kukësin. “SportEkspres.com” mëson se verilindorët nuk pranojnë që të luajnë të hënën, pasi nuk do të kishin në dispozicion sulmuesin kryesor të skuadrës.
Me Haris Harbën që sot ka zgjidhur kontratën me klubin, trajneri Armando Cungu nuk do të kishte asnjë alternativë për ofensivën. Kështu po bëhet çmos që Kukësi-Teuta të luhet ditën e diel. Por që të ndodhë diçka e tillë duhet gjetur marrëveshja me durrsakët, të cilët bëjnë llogaritë e tyre.