Milani ka një transfertë delikate mbrëmjen e sotme, teksa do të sfidojë Real Betisin në Sevije. Kuqezinjtë pësuan një humbje ndeshjen e kaluar ndaj spanjollëve, ku sfida në “San Siro”, u mbyll në shifrat 1-2. Mbrëmjen e kaluar lojtarët dhe stafi i italianëve kanë marrë një surprizë të bukur.
Andre Silva, i cili u transferua këtë verë në huazim te Sevija, ishte një natë më parë për të takuar ish-shokët e tij të skuadrës. Portugezi po kalon një moment mjaft të mirë në Spanjë, teksa ka shënuar plot 7 gola në kampionat dhe Sevija e tij ndodhet në vendin e tretë në renditjen e La Ligas.
Silva është parë në shoqërinë e Leonardos më së shumti, ku ndoshta mund të ketë pasur dhe diskutime në lidhje me të ardhmen e sulmuesit. Gjithashtu nga fotot që ka postuar dhe faqja zyrtare e Milanit në “Instagram”, Andre Silva shihet i lumtur, teksa shoqërohet dhe me Hoze Maurin e Suson.