Trajneri Gentian Mezani u rikthye në Vlorë si kundërshtar. Tekniku vlonjat komentoi për “Supersport” barazimin e arritur ndaj Flamurtarit. Timonieri i bluzinjve u shpreh në emisionin “Gol pas Goli” se ai do të bëjë çmos me skuadrën që ka në dispozicion, të paktën deri në merkaton se janarit.
“Kjo pikë na bën mirë, luanim ndaj një skuadre të fortë dhe në një fushë të vështirë. Duhet t’i gëzohemi pikët për moral dhe vazhdimësinë. Mungesat? Normalisht këta lojtarë kemi dhe do bëjmë të pamundurën të marrim maksimumin deri në fund të fazës. Skuadra ka cilësi, pavarësisht problematikave. Do kisha dëshirë të kisha disa lojtarë me më shumë eksperiencë. Por të gjithë mundohen të bëjnë më të mirën dhe duhet të jemi të kënaqur me kaq”.
“Humbja e topit nga Liçaj? E nisi topin shpejt, u kërkova ta qetësonin lojën. Mendoj se nxitoi, skuadra ishte në disekuilibër dhe mund të ndëshkoheshim. Liçajt nuk i falen këto gjëra. Ai është një forcë për ne, ka ardhur në rritje dhe do na ndihmojë. Është lojtarë me cilësi të mira. Tani përfundoi dhe do të shohim të rregullojmë gabimet në vazhdim”.
“Mungesa e shpejtësisë? Shkurtaj është gjithë kohën e vetëm. Këta janë lojtarët dhe mundohem të marr më të mirën prej tyre. Radoviç dhe Milosavljev na ndihmojnë shumë për mënyrën se si luajmë, jo si dua të luaj. Po bëjnë punë të mirë. Po rritemi dhe kemi marrë pikët që meritojmë. Shpresojmë të riparojmë diçka deri në fund të janarit. Do bëjmë disa ndryshime tani, të dy anësorët po bëjnë mirë, edhe pse Shkurtaj është vetëm”.
“Financat? Keni të drejtë që e bëni këtë pyetje, por na duhet të punojmë. Vështirësi ka gjithandej, por duhet secili të bëjë punët e veta. Gjithsecili do të shohë detyrat e tij për ecurinë e skuadrës dhe për të mirën e Luftëtarit”.