Kombëtaren italiane e pret një finale më 17 nëntor, kur do të presin në “San Siro” Portugalinë. Ndaj përfaqësueses luzitane, djemve të Mançinit i duhet medoemos fitorja. Në listën e Mançinit pritet të rikthehet sulmuesi i Torinos Andrea Beloti, ndërkohë që do të ketë dhe shumë surpriza.
Sipas medieve italiane Mançini ka ndërmend t’i dërgojë një ftesë mesfushorit Sandro Tonali. Futbollisti 18-vjeçar luan në Serie B me Breshian, ku po spikat me paraqitjet e tij dhe jo më kot është kthyer në një shënjestër për shumë klube të Serie A, si Milan dhe Atalanta.
Tonali deri më tani ka 10 paraqitje për përfaqësuesen U19 të Italisë, ndërsa akoma nuk ka debutuar me ekipin U21. Nuk është hera e parë që Mançini përgatit ftesa për lojtarë premtues, pasi në grumbullimin e fundit mori në skuadër talentin e Romës Nikolo Zaniolo.