Gugash Magani dha dorëheqjen nga Trepça 89’ me datë 31 tetor, duke i dhënë fund aventurës në krye të klubit nga Mitrovica. 53-vjeçari nga Peqini, i cili ka një eksperiencë të madhe në futbollin shqiptar, ka drejtuar më parë Shkumbinin, Flamurtarin, Besën, Teutën, Tiranën dhe Trepça 89’, për momentin është pushim dhe një trajner i lirë.
Në ambientin sportiv shqiptar kanë qarkulluar zëra që e shohin afër stolit të Laçit, pas largimit të trajnerit Artan Mërgjyshi nga drejtimi i bardhezinjve. Kurbinasit ia kanë besuar stolin përkohësisht Migen Memellit, ndërsa Magani ka komentuar zërat që e shohin afër Laçit në prononcimin e bërë për “Sport Ekspres”.
Trajneri peqinas ka treguar se po qëndron pushim për momentin dhe fjalët që qarkullojnë në media janë spekulime. “Për momentin jam pushim. Nuk kam diskutuar asgjë, janë thjeshtë spekulime”, shprehet shkurt trajneri, duke qartësuar përfundimisht të ardhmen e tij të mundshme me bardhezinjtë.