Lacio është rikthyer te fitorja, duke lënë pas krahëve humbjen e hidhur kundër Interit. Djemtë e Inzagit shkatërruan Spalin me rezultatin 4-1 dhe tashmë ngjiten në vendin e katërt me 21 pikë. Çiro Imobile me një dygolësh, Kataldi dhe Parolo ishin autorët e golave të Lacios, ndërsa Mirko Antenuçi barazoi përkohësisht rezultatin në pjesën e parë.
26 minuta e para të sfidës nuk dhuruan gol, ndërkohë që Thomas Strakosha kreu mrekullinë kundër Antenuçit në minutën e 21. Pesë minuta më vonë erdhi avantazhi i lacialëve me të zakonshmin Imobile, i cili goditi fort nga brenda zonës, dukë shënuar një gol të bukur.
Gëzimi i vendasve zgjati vetëm dy minuta, pasi Antenuçi shfrytëzoi një pasim të Lazarit dhe mposhti Strakoshën. Asnjë faj për portierin e kombëtares kuqezi, ndërsa Imobile riktheu festën në “Olimpico” në minutën e 35. Një aksion shumë i bukur mes tij dhe Kaisedos, që u konkretizua me golin e tetë në kampionat të sulmuesit 28-vjeçar.
Pjesa e dytë dhuroi dhe dy gola të tjerë për Lacion, që gjeti golin e tretë me një predhë të Kataldit, ndërsa Parolo kopjoi shokun e tij në minutën e 70, duke shënuar një gol të bukur dhe vulosur fitoren e Lacios. Humbja e dytë rresht për Spalin, pas asaj në shtëpi kundër Frozinones, ndërsa bardhekaltrit janë në ndjekje të Interit dhe Napolit, me katër pikë më pak.
Lacio – Spal 4-1
(Imobile 26′, 35′, Kataldi 59′, Parolo 70′ / Antenuçi 28′)