Nga: Edi Spahiu
Tomori thyhet në shtëpi ndaj Bylisit, duke pësuar humbjen e parë në këtë kampionat, dhe tashmë duhet që të mendojë shumë seriozisht për të ardhme, për të mos komplikuar situatën në tabelë, pasi rrezikon jo pak për të qenë pjesë e pesë skuadrave të dyta në grupin ku bën pjesë. Në të kundërt, është Bylisi skuadra që ka merituar fitoren dhe shënuar një rekord me katër fitore radhazi në kampionat, duke merituar me këtë rast edhe kryesimin e grupit B, ndonëse me një ndeshje më shumë se sa Besa.
Duke fituar në një transfertë shumë të vështirë si kjo në Berat, nuk është aspak e vështirë, për të kuptuar se Bylis do të jetë një nga skuadrat kryesore dhe pretendente serioze në këtë sezon për ngjitjen në Superiore, pasi dhe në përbërje dhe filozofinë e lojës është duke bërë diferencën në raport me skuadrat kundërshtare dhe rivale të saj.
PJESA E PARË Miqtë befasojnë qysh në minutën e dytë, pas një aksioni të shpejtë nga e djathta e sulmit, kur Beji, një nga më të mirët në fushë në këtë takim, pason për tek Barjamaj dhe ky që i shërben Kofit, që godet shpejt dhe saktë brenda zonës duke kaluar Bylisin në avantazh.
Në minutën e 19-të Tomori proteston, pasi pretendon për penallti, ndërsa një minutë më vonë miqtë dyfishojnë shifrat pas një aksioni të shpejtë nga e majta e sulmit dhe Liçkollari me një goditje të bukur shënon dhe hesht stadiumin. Gjithsesi, vendasit do t’i gëzohen golit të tyre në shtesën e pjesës së parë, kur Koleci shfrytëzon mjaft bukur pasimin e Çaços nga fundorja në të djathtë të sulmit vendas dhe shënon.
PJESA E DYTË Pas golit të shënuar beratasit marrin më shumë zemër dhe pjesën e dytë e nisin në sulm, ndonëse tekniku Devolli ka konsumuar dy zëvendësime qysh në pjesën e parë, teksa Ogbodike është futur si zëvendësues për shkak të një lëndimi një ditë përpara ndeshjes. Tomori ushtron presion dhe e vendos Bylisin në vështirësi në pjesën e dytë, por rastet janë të shumta për shënim në të dy krahët. Gjithsesi, Bylisi mbrohet shumë mirë dhe zëvendësimet i japin freski, ndërsa Tomori detyrohet të dorëzohet, ndaj një rivali superior.
TOMORI – BYLIS 1-2
Shënues: Koleci 45+1′ / Koffi 2′ Lckollari 20′
Tomori: Braçe, Beci, Çaço, Dervishi (Gjonaj 66′) Frajdej, Koleci, Markiori (K. Mahmutaj 43′) Mersini, Mujkiç, Paja (Ogbodike 23′) Shaqe. Tr: B. Devolli
Bylis: Bytyci, Beji, Barjamaj (V. Mahmutaj 61′) Koffi, Kullira, Liçkollari (Cela 74′) Ntefe (Janku 65′) Peposhi, Samnda, Shyri, Zefi. Tr: V. Dovedam.
Kartonë të verdhë: Beci 28′, Koleci 87′
Gjyqtarë: A. Beqiri, R. Zaimi, M. Shazivari (Tiranë)
Pas ndeshjes
Devolli (Tr. Tomori): Jemi ndëshkuar qysh në fillim dhe kjo është e pafalshme për futbollistët e mi, sepse goli i ka shërbyer më shumë psikologjikisht kundërshtarit, që na goditi sërish duke dyfishuar shifrat vetëm pas 20 minutave lojë. Unë them se i kishim të gjitha mundësitë që të barazonim, pasi rastet nuk na kanë munguar, por besoj se futbollistëve të mi u mungon instikti i golit dhe ky aspekt duhet ndrequr në të ardhmen, pasi shpërdorojmë shumë. Pozicioni në tabelë nuk tregon aspak vlerat tona të vërteta, pasi deri më tani ne vetëm kemi shpërdoruar shumë në raste dhe në rezultate në fushën tonë në mënyrë të veçantë
Dovedan (Tr. Bylis): Jam i kënaqur sepse kemi realizuar objektivin tonë, dhe për më shumë që kemi marrë provizorisht kryesimin e grupit, çka na jep vërtetë kënaqësi shumë të madhe, ko vetëm pse kjo skuadër është e ndërtuar për të kërkuar rikthimin në Superiore, por edhe se nga ndeshja në ndeshje jemi duke u përmirësuar ndjeshëm, dhe pas kësaj fitore të katër radhazi besoj shumë se po shfaqemi si pretendentë dhe skuadra më cilësore e grupit tonë. Por me gjithë fitoren, nuk dua të fsheh pakënaqësinë time me futbollistët e mi që shpërdorojnë shumë raste para portës kundërshtare, dhe duke falur në raste të tilla mund të na ndëshkonte kundërshtari, dhe për mua kjo është e pafalshme.