Superfinalja Boka-River në rrezik, Gremio dërgon çështjen në apel

Finalja e “Copa Libertadores” këtë sezon do të jetë Boka Zhuniors-River Plejt, superklasikja argjentinase, që është një ndër derbit më të mëdhenj në Botë. Gjithsesi jehonën e kësaj finaleje mund ta prishë Gremio. Pavarësisht se në fushë River Plejt triumfoi ndaj brazilianëve në një gjysëmfinale dramatike, ku vetëm në minutën e 96-të argjeninasit morën kualifikimin, Gremio do ta apelojë ndeshjen.

Arsyeja ka të bëjë me trajnerin e Riverit, i cili është Marselo Gajardo. Ky i fundit ishte i pezulluar, pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq, që në ndeshjen e parë, por në pushimin e ndeshjes së luajtur në Brazil, teksa Gremio po fitonte 1-0, Gajardo ka shkuar në dhomën e zhveshjes duke folur me ekipin e tij, diçka që nuk
lejohet normalisht.


Gajardo nuk e ka mohuar këtë gjest nga ana e tij dhe Gremio ka në plan që çdo gjë t’i drejtohet gjykatës. CONMEBOL, i cili është institucioni më i lartë në Amerikën Latine, ka për detyrë të japë një vendim disi të shpejtë, pasi finalja e parë është programuar që të luhet javën e ardhshme, pikërisht me 10 nëntor.

“Rregullorja u shkel dhe ne do të bëjmë një apel formal në CONMEBOL dhe departamenti ynë ligjor do të takohet për të paraqitur ankesën. Do të apelojmë kundër ndeshjes dhe do të presim për vendimin që do të merret. Jemi të zemëruar me atë që ndodhi”, tha zëvendësdrejtori i Gremios, Duda Kroef.

Gajardo nuk shfaqi asnjë shenjë pendese për veprimin e bërë, madje tha se një dënim ndaj tij për të mos qenë i pranishëm në finale nuk do ta shqetësonte.

“Kam marrë vendimin për të shkuar poshtë në pushimin e pjesës së parë për të biseduar me lojtarët sepse mendova se ata kishin nevojë për këtë gjë. Ndoshta kam thyer një rregull, por unë marr përgjegjësinë. Ishte ajo që ndjeva dhe duhet ta bëja, nuk më vjen keq fare. Nuk më intereson nëse do të mungoj në finale. Lojtarët kishin nevojë më shumë se kurrë për mua dhe nuk mund t’i zhgënjeja”, ka përfunduar fjalët e tij trajneri i River Plejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *