Leister Siti dhe tifozët e ekipit po përjetojnë momente dhimbje, por mbi të gjitha janë të paqartë për ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e kaluar. Helikopteri i presidentit tajlandez të ekipit, Vichai Srivaddhanaprabha, u përplas pas përfundimit të ndeshjes Leister-Uest Hem.
60-vjeçari tajlandez është presidenti i klubit të Premier ligës që nga gushti i vitit 2010, ndërsa në sezonin 2015-2016, ekipi i drejtuar nga Klaudio Ranieri mahniti botën e futbollit, duke fituar kampionatin anglez dhe dhuruar tifozëve të ndryshëm nëpër botë emocione të paharrueshme.
Siç raportohet nga “Reuters”, në bordin e helikopterit kanë qenë 5 persona, presidenti i Leisterit, vajza e tij, dy pilotët dhe një person i pestë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Helikopteri është përplasur rreth orës 20:30 të së shtunës, jashtë stadiumit “King Power”, ndërsa nuk ka të dhëna për të mbijetuar.
Ndeshja e sotme midis ekipeve të femrave të Leisterit dhe Mançester Junajtid është shtyre siç citon “The Guardian”, ndërsa nuk dihet akoma se çfarë do të bëhet me ndeshjen e “Carabaoo Cup”, midis Leisterit dhe Southemptonit.
“Në respekt të ngjarjeve të fundit në stadiumin “King Power”, ndeshja jonë kundër ekipit të femrave të Mançester Junajtid është shtyrë”, shkruan komunikata e klubit të “dhelprave”.
Ndihmësi i shefit të zjarrfikëseve të Leistershire, Endrju Brodi, tregon që aksidenti ishte “qartësisht serioz dhe tragjik”. Në një postim në “Twitter”, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, ai shkruan: “Duke lënë selinë qendrore të policisë pas një takimi strategjike të agjencive të ndryshme për incidentit e ndodhur të helikopterit. Qartësisht serioz dhe tragjik, ju lutem mos spekuloni për shkakun, ose njerëzit e përfshirë. Mendoni për familjet, miqtë dhe tifozët e tyre.”
Helikopteri u rrëzua në tokë, duke u ulur pranë parkut E, që përdoret nga stafi i klubit. Djali i presidentit dhe zëvendëspresidenti Aiyawatt nuk morën pjesë në këtë ndeshje, kështu që ata nuk kanë qenë në helikopter.
Një burime i klubit të Leisterit tha se “po ndihmojmë policinë dhe shërbimet emergjente në trajtimin e incidentit të madh të ndodhur në stadiumin ‘King Power’. Klubi do të lëshojë një deklaratë më të detajuar, pasi të kemi marrë informacione të mëtejshme.”
Nga ana tjetër, një zëdhënës i King Power, kompanisë së Srivaddhanaprabha në Tajlandë nuk pranoi të komentonte ngjarjen e ndodhur. Gjatë mëngjesit të ditës së sotme, tifozë të Leisterit kanë vendosur lule afër stadiumit të tyre, duke u lutur për kreun e klubit dhe personat e tjerë, të cilët ishin me të në bordin e helikopterit.