Juventus ka arritur të triumfojë në transfertën e Empolit, ku vuajti jo pak, pasi vendasit ishin në avantazh pas 45 minutave të para. U desh një super Kristiano Ronaldo me një dygolësh, për t’i dhuruar fitoren kryesuesve të Serisë A. Fitore me përmbysje 1-2 e “zonjës së vjetër” dhe një Ronaldo që vjen në rritje.
Në pjesën e parë bardhezinjtë vuajtën jo pak, ku Empoli mbylli thuajse në mënyrë perfekte çdo hapsirë, duke mos i lejuar të besuarit e Alegrit të krijonin raste të rrezikshmë. Ishte minuta e 28-të, ku pas një dalje në krah nga ana e Akuah, Françesko Kaputo përfitoi nga konfuzioni i krijuar në mbrojtjen e Juventusit dhe lëshoi një goditje perfekte me të majtën, për të dërguar në avantazh vendasit.
Fraksioni i dytë i lojës solli në skenë Kristiano Ronaldon. Juventusi erdhi me një fytyrë krejtësisht tjetër dhe u shfaq e motivuar në maksimum për të kthyer rezultatin e pjesës së parë. Vetëm dy minuta pas nisjes së lojës, ishte Pjaniç që tronditi traversë, përpara se Paolo Dibala të fitonte një 11-metërsh. Ronaldo e merr përsipër dhe barazon shifrat në minutën e 54-t.
Më pas bardhezinjtë këmbëngulën përsëri dhe e shtuan presionin, ku u shpërblyen në minutën e 70-të. Një silurë nga e djathta e Kristiano Ronaldos mposht për herë të dytë Empolin dhe goli i shtatë sezonal për portugezin është një perlë e vërtetë. Juventus konsolidon pozitat në krye, tashmë në kuotën e 28 pikëve, pas dhjetë javësh.