Federiko Kieza është një nga lojtarët më premtues italianë. Lojtari i Fiorentinës feston sot 21-vjetorin e lindjes dhe për të ka folur trajneri i parë. Edi Baxho, vëllai i legjendës Roberto Baxho, e ka stërvitur Federikon në moshat e Fiorentinës dhe ai është i bindur që Kieza është futbollisti italian më i mirë në qarkullim.
“Që në stërvitjen e tij të parë, vura re mënyrën e veçantë me të cilën e prekte topin. Që atëherë ishte i përqendruar dhe i kujdesshëm. Nuk ka humbur kurrë një stërvitje, që kur ishte fëmijë. Nuk ka futbollist më të mirë se ai në Itali. Kieza duhet të qëndrojë i përulur dhe i qeshur, siç ka qenë gjithmonë. Nëse e bën, asgjë nuk do ta ndalojë të arrijë sa më lart”, përfundon Edi Baxho për “Corriere Fiorentino”.
Për lojtarin e talentuar interesohen shumë klube italiane dhe europiane, por ai refuzoi të gjitha kontratat në verë dhe vazhdon të shijojë aventurën e tij me Fiorentinën.