Flamurtari ka reaguar pas lajmeve të publikuara në lidhje me një gjyq të humbur me Stanislav Levin. Sipas asaj që u raportua në media, çeku ka fituar çështjen me vlonjatët në FIFA dhe tashmë duhet shlyer borxhi që shkon deri në 100 milionë lekë.
Në Vlorë nuk kanë qëndruar duarkryq dhe kanë dalë me një njoftim, teksa publikojnë edhe dokumentin që kanë paguar rreth 45 mijë euro. “Njoftim për shtyp. Flamurtari Footboll Club informon opinionin publik dhe sportiv , që nuk ka çështje pagese të prapambetur për ish-trajnerin Stanislav Levi, gjë e cila vërtetohet dhe në njoftimin zyrtar nga FIFA”, shkruan klubi vlonjat.
Dokumenti i publikuar vërteton pagesën e bërë nga Flamurtarin, ndërkohë që mes të tjerash thuhet se tashmë mes palëve nuk ka më nevojë për ndërhyrjen e organit Disiplinor të FIFA-s. Sikurse shihet në dokumentin e publikuar, gjithçka është zgjidhur verën shkuar.