Myrto Uzuni po kërkohej gjatë verës nga disa klube. Panionios në Greqi e vëzhgoi nga afër sulmuesin anësor, ndërkohë që përfaqësues të këtij klubi ishin në Shqipëri dhe e ndoqën. Gjithsesi ata nuk ishin gati të përmbushnin kërkesat e klubit të Laçit.
Presidenti Pashk Laska kishte shpenzuar ta blinte dhe ecuria e sulmuesi ishte e mirë. Dalja në Europë më pas ishte vitrina më e mirë për beratasin dhe diti ta shfrytëzojë momentin. Në ndeshjen kundër Anorthosis Falagusta në stadium kishte përfaqësues të dy klubeve kroate.
Lokomotiva e Zagrebit, klubi që e bleu për 350 mijë euro në ditën e fundit të merkatos, kishte dërguar zyrtarë të lartë të klubit për ta parë. Por nuk ishin të vetëm, pasi “SportEkspres.com” mëson se edhe Hajduku i Splitit po e vëzhgonte.
Klubi kroat, në vështirësi financiare, duhet të bëntë ndonjë lëvizje në dalje për ta blerë Uzunin. Diçka e tillë nuk ndodhi dhe të dielën anësorin e kombëtares shqiptare do e kenë kundër në fushën e blertë.
Sigurisht beratasi nuk është penduar për zgjedhjen e bërë dhe nuk ka ndonjë peng, por ndoshta pas ndeshjes do të jetë kroatët ata që do të thonë: “Gabuam, si nuk e morëm këtë lojtar”.