Xhenoa i vendos çmimin, Napoli me plan për Piatek

Kristof Piatek vazhdon të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha europiane. 23-vjeçari i Xhenoas udhëheq tabelën e golashënuesve të Serie A me 9-të gola të shënuar në 8-të javët e para të kampionatit. Polaku ka shënuar dhe një poker në ndeshjen e Kupës së Italisë përballë Leçes, çka e ngjit sulmuesin në kuotën e 13-të golave në 9-të ndeshje të luajtura.

Piatek nuk e harroi vesin e golit as në kombëtare, ku shënoi golin e parë të ndeshjes në humbjen e Polonisë me rezultatin 2-3 përballë Portugalisë. Juventus, Bajern Mynih dhe Napoli kanë shprehur interesin e tyre, por siç citon “Gazzetta dello Sport”, Napoli e ka seriozisht dhe është gati të bëjë maksimumin për të siguruar shërbimet e sulmuesit.

Ançeloti dhe De Laurentis kanë mbetur të impresionuar nga paraqitjet e polakut dhe sensi i tij i golit, por Xhenoa dëshiron të përfitojë sa më shumë dhe i ka vendosur çmimin lojtarit. Presidenti Preciozi kërkon 60 milionë euro për kartonin e lojtarit, por homologu i tij te Napoli e cilëson këtë shifër tepër të lartë dhe ofron deri në 25 milionë euro.

Megjithatë, tratativat vazhdojnë dhe Napoli ka një tjetër plan për të bindur lojtarin të zgjedhë ekipin e Ançelotit. Te Napoli aktivizohen dy lojtarë të tjerë polakë si: Milik dhe Zielinski, të cilët do të bëjnë maksimumin për të bindur Piatek të bashkohet me ta te Napoli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *