Plori e thotë hapur: Jemi ekipi më i dobët!

Elvis Plori, trajneri i Kastriotit, e ka pranuar se skuadra e tij është më e dobëta në Superiore. Në lidhjen direkte në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ai analizoi takimin e humbur me Teutën.

“Është e vërtetë, renditja nuk gënjen dhe jemi realisht ekipi më i dobët në Superiore në këtë moment. Megjithatë, edhe sot luajtëm mirë në periudha të caktuara, patëm raste dhe pretenduam edhe një penallti, por Teuta shënoi me një rast dhe më pas na goditi në momentin tonë më të mirë, edhe në rastin e golit të dytë. Na dëmtoi edhe dëmtimi i Domgjonit, nuk kemi ç’bëjmë. Pikët flasin vetë”.

“Të rinjtë në ekip, pa eksperiencë? Jo, i kemi përzgjedhur me kujdes. Edhe portieri është lojtar i talentuar dhe me të ardhme, edhe pse 18 vjeç. Mungesa e eksperiencës ndihet, por më vjen mirë që këta të rinj kanë mundësi të rriten dhe të tregojnë sa vlejnë. Është e drejtë që duhet një gërshetim i mirë mes të rinjve dhe lojtarëve me eksperiencë”.

“Janari si shpëtim? Kur mungojnë pikët, mungon gjithçka. Nëse marrim pikë është shumë më ndryshe dhe deri në janar duhet të grumbullojmë sa më shumë, sepse po luajmë futboll”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *