Nën drejtimin e Gentian Mezanit Luftëtari ka marrë 6 pikë në tre ndeshje. Bluzinjtë janë zgjuar pas asaj nisje negative, ku në 4 ndeshje radhazi nuk morën asnjë pikë. Suksesi me Kamzën ishte shumë i rëndësishëm për gjirokastritët që tani do tentojnë të bëjnë mirë dhe ndaj Skënderbeut.
Për takimin e kësaj të diele, Mezani do të ketë nën urdhrat e tij dhe kapitenin Behar Ramadani. Mesfushori e ndoqi ndeshjen e fundit nga tribuna, kjo për shkak se kishte plotësuar numrin e kartonëve.
Gjithsesi, Ramadani nuk e mendoi si një ditë pushimi, sepse menjëherë pas ndeshjes nisi të bënte vrapime rreth fushës, kjo për të qenë në gjendje sa më të mirë për sfidën e ardhshme. Ramadani është një nga lojtarët kyç të Luftëtarit dhe natyrisht është një “armë” më shumë për Luftëtarin, në një ndeshje kaq të vështirë.