Superiorja është goxha e fortë dhe javë pas jave po vërtetohet diçka e tillë. Pozicioni në renditje nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, pasi për të fituar një ndeshje duhet të djersish shumë. I ndodhi Kukësit me Luftëtarin, në një takim që u vendos nga një penallti e shënuar nga Rexhinado.
Për takimin me gjirokastritët ka folur kapiteni Ylli Shameti, i cili është shprehur: “Çdo ndeshje e kampionatit është e vështirë dhe kjo u pa edhe në fushën e lojës, ku Luftëtari na vendosi në vështirësi. E kishim vlerësuar ashtu siç duhet dhe e rëndësishme është që në fund morëm tre pikët. Ato mangësi që patëm do i rikuperojmë gjatë javës për të bërë më mirë në vazhdim”.
Më pas qendërmbrojtësi e ka zhvendosur vëmendjen te sfida e së enjtes me korçarët: “Skënderbeu dhe Kukësi këto vite kanë pasur një rivalitet në kornizën sportive, një rivalitet shumë të fortë dhe të bukur pa diskutim. Për më të tepër atyre u kthehen këtë javë edhe tifozët dhe do të jetë një ndeshje akoma më e bukur. Ne do përgatitemi këto ditë dhe do ta vlerësojmë ashtu siç duhet. Nuk diskutohet që do të shkojmë për një rezultat pozitiv, pasi vetëm kështu mund të mbajmë pozicionin që kemi në tabelë”.
“Lideri? Është diçka e mirë. Pa se lideri ka kënaqësinë e vet dhe detyrat e tij, kështu që shpresoj t’i bëj deri në maksimum. Deri tani ia kemi arritur dhe uroj ta ndihmoj ekipin sa më shumë, si dhe të arrijmë objektivat e klubit”, është shprehur për “RTSH Sport” Shameti.