VIDEO | Kukësit i mjafton Shameti ndaj Kamzës, verilindorët ndjekin Skënderbeun

Kukësi arrin që të fitojë 1-0 në “Loro Boriçi” ndaj Kamzës së Klodian Duros. Të besuarit e Armando Cungut i falen golit të Ylli Shametit, i cili nuk gaboi sapo ishte mbushur gjysmë ore lojë. Ndeshje me ritëm, raste dhe mjaft interesante në Shkodër, me Kukësin që mban ritmin dhe i afrohet Skënderbeut, pasi barazon Partizanin me 10 pikë.

Pjesa e parë nisi me skuadrat disi të tërhequra, të cilat kishin si synim të studionin kundërshtarin. Pas çerek ore lojë ekipet nisin që të jepnin shkëndijat e para në portat kundërshtare. Kukësi ishte më kërkues, teksa kishte një rast ideal për të shënuar me Ethemin.

Uilliam ishte mjaft aktiv në fazën sulmuese të Kukësi, duke qenë i kudondodhur, pikërisht braziliani ishte ai që gatoi në një farë mënyre golin e avantazhit. Një gabim në mesfushë i miqve u shfrytëzua maksimalisht nga Kukësi. Aksion me një takim nga të besuarit e Cungut, dhe Uilliam shërbeu mjaft mirë në qendër të zonës së Kamzës, ku Shameti me një qetësi si një sulmues i mirëfilltë shënoi golin që i dha Kukësit avantazhin.

Nuk mund të mungonte një dedikim special nga ana e kapitenit të Kukësit për Besar Musollin, i cili do të qëndrojë për disa muaj jashtë fushave të blera. Gjirokastriti mori fanellën e mesfushorit nga Podujeva dhe e përshëndeti këtë të fundit që ndodhej në tribunë. Nuk u ul aspak ritmi dhe skuadrat ishin mjaft kërkuese. Plaku tentoi që të vendoste ekuilibrin, por Kukësi mbetej sërish i rrezikshëm në daljet para.

Në fraksionin e dytë, Kukësi kishte sërish më shumë iniciativë, por dhe Kamza ishte e vendosur mirë dhe provonte që herë pas here të ngacmonte në portën e Stivi Frashërit. Gjithsesi, rastet ishin më të pakta, kjo dhe për faktin se Kukësi diti mjaft mirë që ta menaxhonte rezultatin. Rexhinaldo kishte shansin për të dyfishuar, por nuk mundi që të mposhte Avdylin, që ishte një nga më të mirët në fushë për skuadrën nga periferia e kryeqytetit.

Duro provoi gjithçka me zëvendësimet e tij, duke rrezikuar jo pak, por nuk mundi që të merrte një rezultat pozitiv ndaj ish-skuadrës së tij. Në fund, Kukësi e sheh vendin e parë vetëm 1 pikë larg, por bind me lojën e zhvilluar dhe tregon edhe një herë se është një nga pretendentët kryesor për titull. Verilindorët regjistrojnë fitoren e tretë radhazi në kampionat. Në anën tjetër Kamza mbet në kuotën e 6 pikëve, por me lojën e zhvilluar ka treguar se mund t’i hapë probleme çdo kundërshtari.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 5

E diel, më 23 shtator, ora 18:45
Stadiumi “Loro Boriçi”, Shkodër

Kukësi 1-0 Kamza
Shënues: Shameti 30′

GOLI

30’ – Aksion fantastik i Kukësit, Uilliam pason në qendër për Shametin, i cili si një sulmues tipik shënon golin e avantazhit. Dedikimi për Besar Musollin!

FORMACIONET

Kukësi: S. Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Zguro, Ethemi (Çyrbja 84′), Shkodra, Limaj, Uilliam (Shpehar 90+2′), Shafik Tigruxha (Dzaria 67′), Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu. Të gatshëm: Maloku, Harba, Qaqi.

Kamza: Avdyli, E. Frashëri (Zisi 86′), Teqja, Arrabal, Idrizaj (Rezi 78′), Malaj, Mehmeti, Plaku, Roloviç (Orelesi 67′), Fukui, Martinena. Trajner: Klodian Duro. Të gatshëm: Kirev, Peçi, Mumajesi.

Kartonë të verdhë: Rexhinaldo 89′, Maliqi 90+2′ /Teqja 78′, Plaku 74′, Arrabal 80′

Gjyqtarë: Blerim Ziri, Endrit Veseli, Erind Burgu, Klajdi Kola

Delegat: Petrit Brahja; Vëzhgues: Idriz Gashi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *