Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, Ilir Avdyli u shndërrua në një prej shtyllave të Kamzës, në garën për mbijetesë. Me ekipin nga periferia, që u kthye te fitoret në kampionat, portieri synon ta mbajë portën e paprekur edhe ndaj Kukësit dhe bomberit të kampionatit, Rexhinaldo.
“Rexhinaldo është një nga lojtarët më cilësorë, është i qetë para portës dhe duhet të kemi kujdes. Me mbështetjen e lojtarëve do mundohemi ta bllokojmë”, tha “gardiani” në intervistën e dhënë për “SuperSport”.
Ardhja e trajnerit Klodian Duro e ka ndryshuar mentalitetin e skuadrës, që luan për të marrë maksimumin, pavarësisht emrit të rivalit. Avdyli tha: “Kukësi ka shumë cilësi, për ne është ndeshje e radhës. Do japim maksimumin, në mënyrë që të mos kemi pengje në fund. Me ardhjen e Duros ne mendojmë vetëm për fitore”.
Në fund, portieri nga 28-vjeçar foli edhe për rivalitetin pozitiv, që ka nisur te Kamza. “Ndërrimi i trajnerit sjell pozitivitet, lojtarët kërkojnë të tregojnë vlerat e tyre. E gjitha kjo për të siguruar një vend në skuadër”.