Gerhard Progni pas një sezoni u largua nga Partizani dhe u rikthye te Teuta. Anësori tregon se e gjitha ndodhi shumë shpejt dhe në fakt ai as që e kishte menduar. Gjithsesi ai i kënaqet faktit që i është bashkuar durrsakëve.
“As unë vetë nuk e prisja që ditën e fundit të merkatos të bëjë këtë lëvizje te Teuta. Gjithsesi me rëndësi që jam këtu dhe jam i kënaqur për zgjedhjen që kam bërë”, u shpreh Progni në “Supersport”. Trajneri i Partizani, Skënder Gega, nga ana tjetër është shprehur se do e kishte dashur në ekip sulmuesin anësor.
“Është e vërtetë që trajneri e ka thënë këtë në intervistë, por unë nuk kam dëshirë shumë të flas për këtë gjë. E rëndësishme është që u gjet akordi nga të dyja palët dhe u zgjodh gjëja më e mirë për mua”, shtoi Progni.
Në Durrës ai ndihet shumë mirë dhe e thotë hapur: “Edhe kur isha herën e parë te Teuta isha mjaft i kënaqur me kushtet e klubit, me presidentin dhe stafin. Edhe tani, sidomos që është edhe trajner profesor Bledi, me të cilin kam qenë shok skuadre. Është akoma më e lehtë për mua dhe çdo gjë po shkon mirë”.
KUKËSI – Të shtunën Teuta pret Kukësin, klub me të cilin Progni ka luajtur në të shkuarën: “Është një ekip që vitet e fundit ka bërë mirë në kampionat dhe në Europë, por besoj se në fushën tonë nuk duhet të bëjmë hapa falsë. Do jetë një ndeshje e fortë dhe e luftuar, por besoj se në fund do të kënaqemi”.
OBJEKTIVI – Progni nuk fshihet dhe e mendon edhe titullin kampion: “Dëshira ime personale është të jemi në grupet e Champions (qesh). E rëndësishme është që të kapim Europën. Nëse nuk ndodh kjo, është dështim. Oreksi vjen duke u shtuar. Nëse shkojmë në dy-tre vendet e para, apo të jemi afër vendit të parë, pse mos ta provojmë për të fituar titullin”.