Aurelio De Laurentis, presidenti i Napolit, ka folur nga Spliti ku ndodhet për mbledhjen e Shoqatës së Klubeve Europiane (ECA). Kreu i Napolit prek tema të ndryshme, duke filluar nga objektivat e skuadrës, Ançeloti, Sarri, Kulibali dhe gjendja e stadiumit të Napolit. De Laurentis jep zgjidhjen e tij për ndeshjet e Champions, që është… Bari.
Objektivi i Napolit – “Mendoj që është shumë e rëndësishme rritja e konkurrencës në klub dhe për ta bërë diçka të tillë nevojitet rotacioni i lojtarëve. Duam të shkojmë sa më larg të jetë e mundur, ndoshta duke fituar një nga dy kupat europiane. Më mirë nëse fitojmë Champions Ligën dhe ky është objektivi ynë i vërtetë. Më pas, nëse dikush arrin të fitojë dhe kampionatin…
Kampionati ka më shumë ndeshje: Në Seria A luhen 38 ndeshje, ndërsa në Champions vetëm 13. Në Napoli ekziston ndjenja e intrigës dhe është e pamundur të mos mendojmë fitimin e kampionatit. Duhet të besojmë realisht që mund t’ia dalim. Por, fitimi i titullit nuk më sjell fitime të mëdha, ndërsa fitimi i Champions më lejon të blej lojtarë të rëndësishëm për Napolin. Kjo nuk do të thotë se nuk dua të fitoj titullin.”
Ançeloti – “Dua të qëndroj gjithë jetën me Ançelotin, sepse besoj shumë tek ai dhe prandaj zgjodha atë. Nga ana ime nuk do të ketë kurrë një kërkesë dhe unë do te pres i qetë çfarëdo që të ndodhë. Kam garanci të madhe sa i përket personalitetit dhe aftësive të Karlos.”
I biri, Eduardo – “I kam dorëzuar Eduardos çelësat e Napolit. Tani, pas kaq shumë vitesh, do t’i dedikohem më shumë kinemasë dhe televizorit.”
Kulibali – “Nuk ka një klauzolë në kontratën e re të Kulibalisë. Një të tillë simbolike e ka Insinje. Me Rajolën e kemi vendosur që, nëse vjen një ofertë prej 200 milionë eurosh, do ta shesim lojtarin. Nuk ka një marrëveshje me shkrim, por verbale: 200 milionë euro, qartë?”
Sarri – “Deklaratat e tij të fundit janë të pasakta, por nuk më bëhet më të replikoj me të, sepse po kthehet në një telenovelë me tone të pakëndshme dhe kjo nuk i intereson askujt. Jam i lumtur me Ançelotin dhe nuk kam folur më me Sarrin, që mbas shishes së shampanjës që hapëm në mbrëmjen e ndeshjes së tij të fundit. Që nga ai moment kemi patur zero kontakte.”
Kontigjenti i ekipit – “Të shohim nëse ky është Napoli im më i fortë. Jemi këtu për të punuar. Në futboll nuk je zot i fatit tënd, sepse ka dhe 19 skuadra në Itali dhe shumë të tjera në Champions. Varet dhe nga të tjerët, por unë kam besim tek ekipi.”
Stadiumi “San Paolo” – “Për mua është një makth, që më heq pikë në nivelin ndërkombëtar. Është për të ardhur keq dhe prandaj them ‘boll më’. Nuk dua të polemizoj më, por dua të ndërtoj stadiumin tim. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Na nevojiten dy vite për ta ndërtuar stadiumin e ri dhe askush nuk ka të drejtë të thotë asgjë nëse vendos ta bëj më paratë e mia dhe kam terrenin e nevojshëm për ta ndërtuar. Në këto kushte mund të ketë një përshpejtim të fortë.
I kam kërkuar UEFA-s që të na lejojë të luajmë ndeshjet e Champions në Bari. Jam gati të paguaj 1 mijë autobusë për të sjellë napolitanët në ‘San Nikola’. Kur hyra aty për herë të parë, e kuptova që ishte një zotëri stadium. Është lënë pak pas dore, por nuk është si stadiumi jonë. Disa lojtarë kur e panë për herë të parë, kërkuan të largoheshin nga Napoli…”, përfundon Aurelio De Laurentis për “Corriere dello Sport”.