Merkato në dalje për Interin, që ka arritur akordin me ekipin e St. Etienit për huazimin e Jan Karamoh. 20-vjeçari rikthehet në kampionatin francez, mbasi është aktivizuar më parë me ekipin e Kaenit, përpara se të vinte në Milano. Ai zhvilloi 17 ndeshje me zikaltrit dhe arriti të shënonte një gol në fitoren me Bolonjën.
Francezi i lindur në Bregun e Fildishtë kishte oferta dhe nga Shalke e Spartaku i Moskës, por ai zgjodhi të rikthehej në një kampionat që e njeh mirë. Ardhjet e Politanos dhe Keita Balde zvogëluan mundësitë e Karamoh për të luajtur dhe diçka e tillë u pa në dy ndeshjet e para të kampionatit. Vetëm 8 minuta lojë përballë Sasuolos dhe pankinë në ndeshjen me Torinon.
Ai ka arritur akordin me St Etien dhe do të huazohet për një vit në ekipin francez. Nga ana tjetër, Inter është pranë mbajtjes në ekip të Kandrevës dhe Zhoao Marios, sepse akoma nuk ka patur oferta zyrtare në drejtim të tyre edhe pse gjithçka mund të ndodhë në momentet e fundit të merkatos.