Nuredin Orelesi ka mbetur në Superiore. Vllazninë, me të cilën luajti vjet, ra në të Parën, ndërkohë që ofertës së bërë nga Kamza këtë verë ai iu përgjigj pozitivisht. Në një prononcim të dhënë për “Supersport”, ai tregon edhe pse pranoi propozimin e skuadrës periferike nga kryeqyteti.
“Zgjodha të luaj me Kamzën sepse nuk kanë një skuadër te keqe, skuadra është në Superiore dhe kjo më bindi. Nuk besoj se do pendohem që bëra këtë zgjedhje, ndeshjen e kaluar ekipi luajti mirë, por për fat të keq nuk morëm pikë. Fizikisht unë jam gati dhe jam në dispozicion të trajnerit. Nuk kam ardhur këtu thjesht për të bërë stërvitje dua të luaj që këtë javë, po e përsëris jam gjithmonë gati”.
Ndeshja e radhës për Kamzën është kundër Teutës: “Jemi përgatitur që nga fillimi i javës, trajneri na ka udhëzuar shpesh. Mendoj se kundër Teutës do të kërkojmë vetëm 3 pikët, nuk duam asnjë rezultat tjetër përveç fitores, të paktën ky është mendimi im”.
RËNIA E VLLAZNISË – Nigeriani ndjen keqardhje që kuqeblutë nuk do të jenë në elitë, teksa deklaron: “Nuk është se kam shumë për të diskutuar rreth Vllaznisë. Bëmë maksimumin, dhamë gjithçka për të qëndruar, për fat të keq ramë në Kategorinë e Parë. Lutem çdo ditë që Vllaznia të rikthehet në Superiore, me mua personalisht të gjithë janë treguar korrekt, edhe në aspektin e pagesës unë jam shumë në rregull me klubin, kjo është ajo çfarë mund të them për Vllazninë”.