Karlo Ançeloti u rikthye në Serinë A mbas nëntë vitesh dhe është gati për të udhëhequr Napolin drejt majave të larta. Trajneri flet për ekipin aktual në një prononcim për “DAZN”, komenton punën e mirë të paraardhësit të tij dhe i rikthehet eksperiencës me Bajernin e Mynihut.
“Çdo trajner ka idetë e tij, por duhet mbajtur gjithmonë në konsideratë puna e bërë më parë dhe niveli i njohurive të lojtarëve. Unë kërkoj t’i sjell idetë e mia pak nga pak, pa hedhur poshtë punën e mirë që është bërë në të kaluarën. Gjëja më e rëndësishme është marrja në konsideratë e karakteristikave të lojtarëve dhe kjo është baza e krijimit të sistemit taktik dhe jo e kundërta. Kjo ka qenë një nga aspektet primarë me të cilën kam nisur punën time te Napoli. Po përpiqemi të shtojmë disa truke si: të luajmë më shumë vertikalisht dhe më të hapur. Nuk e di sesa kohë do të na duhet, por shpresoj që t’ia arrijmë sa më shpejt.
Unë jam një person i qetë dhe i përmbajtur, por kjo nuk do të thotë që nuk e ndjej presionin. Çdokush e manifeston atë në bazë të karakterit të vet. Presioni sipas meje të mban gjallë, të përqendruar, të vëmëndshëm ndaj çdo detaji dhe gjëja më e rëndësishme është që të mos shndërrohet në stres.
Bajerni? Eksperienca me Bajernin ishte pak e çuditshme. Gjërat nuk po shkonin keq dhe i fituam të gjitha ndeshjet e shtatorit. Mendoj që ata kishin më shumë një problem filozofik, sepse unë dëshiroja t’i ndryshoja gjërat, ndërsa ata ishin kundër ndryshimit”, përfundon trajneri i Napolit.