Kristal Palas ka hedhur një ide ndryshe për sa i përket merkatos së klubeve. Drejtuesit e ekipit londinez, të njohur për një nga akademitë më të mira në ishull, janë gati të huazojnë lojtarët e ri falas, por me kushtin që ata të aktivizohen në ndeshje.
Një metode e duhur për të rritur lojtarët e rinj dhe për të ulur shpenzimet e klubeve të vogla. Ideja u dha nga Mark Brajt, i cili është menaxheri i ekipit U23 të Kristal Palas. Ai u ka dërguar një letër të gjitha klubeve që marrin pjesë në League One, League Two dhe National League, ku shpjegon thelbin e kësaj iniciative.
Lojtarët do të huazohen falas dhe klubet duhet të respektojnë marrëveshjen duke i siguruar atyre zbritjen në fushën e blertë. Nëse kjo nuk ndodh për shkaqe të ndryshme nga dëmtimi i lojtarëve, atëherë, ata do t’i paguajnë Kristal Palasit një dëmshpërblim, që do të jetë i barabartë me gjysmën e shumës javore të huazimit.
Risia e klubit anglez pritet të ndiqet dhe nga klube të tjera dhe kjo mund të jetë një shans i mirë për të rritur të rinjtë e moshave, por dhe një frymëmarrje financiare për klubet e kategorive të ulëta, të cilët nuk do të kenë më nevojë të paguajnë për huazime, por do të mjaftohen që lojtarët të luajnë.