Interi është gati për të nisur sezonin e ri dhe nesër zikaltrit përballen me Sasuolon në transfertë. Në konferencën për shtyp, Luçiano Spaleti flet për ndeshjen hapëse dhe tregon gjendjen e ekipit. Trajneri i Interit ndalet dhe tek lufta për titull, ku sivjet do të jenë disa ekipe që do tentojnë të rrëzojnë Juventusin nga froni.
“Nuk mund ta përcaktoj Interin me një epitet, por di që do të provojmë ti fitojmë të gjitha ndeshjet. Kërkuam një biçikletë dhe tani duhet të nisim të pedalojmë. Asamoah? Ai mund të luajë në çdo pjesë të fushës. E kam provuar në mesfushë, sepse për momentin kam nevojë për të në këtë rol. Laurato është gjithashtu një lojtar i fortë dhe duam ta shfrytëzojmë mirë argjentinasin. Do të ketë momente, që do të na japë një ndihmë të madhe.
Me Sasuolon do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse janë një skuadër e fortë dhe e kanë treguar diçka të tillë përballë nesh. Njohim mirë aftësitë e tyre, por jemi gati për të fituar. Jemi në gjendje të mirë dhe gati për të dalë nga fabrika, pa pasur nevojë të përdorim më shumë teste. Jemi gati për t’u përballur me çdo ekip dhe për të tentuar të fitojmë çdo përballje.”
Spaleti është i kënaqur nga merkato dhe komenton dhe luftën për titull.
“Sigurisht që kam në duar një skuadër më të fortë se vitin e kaluar. Pavarësisht merkatos, sivjet e njohim më mirë njëri tjetrin dhe e dimë rrugën që duhet të përshkojmë për të arritur objektivat e klubit. Na vjen keq kur mungon dikush, si rasti i Naingolan, i cili nuk do të luajë me Sasuolon, por nuk duhet të gabojmë në rikuperimin e lojtarëve të dëmtuar. Titulli? Gjithmonë tentoj që të gaboj sa më pak. Ne bashkë me Milanin, Romën, Lacion dhe Napolin do të tentojmë të rrëzojmë Juventusin nga froni.