Heung Min Son është një nga pikat më të forta të Totenhemit. Ylli i Koresë së Jugut është nisur drejt Indonezisë, për të zhvilluar Lojërat Aziatike me kombëtaren e tij. Një kompeticion i ngjashëm me Lojërat Olimpike, ku kombëtaret marrin pjesë me ekipet U-23. Sipër kësaj moshe lejohen vetëm tri lojtarë dhe Son është njëri nga të përzgjedhurit. Ai dhe shokët e tij duhet të fitojnë medaljen e artë dhe rrjedhimisht do të shmanget detyrimi ushtarak.
Korea e Jugut është e prerë. Çdo shtetas deri në moshën 28-vjeçare duhet të kryejë dy vite ushtri me detyrim. Diçka e tillë do të “plagoste” karrierën e sulmuesit të Totenhemit, por ekziston dhe “plumbi” i fundit. Medalja e artë shpëton Son dhe shokët e tij.
“Objektivi ynë është medalja e artë, por ka shumë rrugë për të arritur deri në finale. Kam menduar shumë për Lojërat Aziatike. Mposhtëm kampionët e botës në Rusi, Gjermaninë, dhe askush nuk e priste një triumf të tillë. Mund të humbasim ndaj çdokujt, nëse nuk japim gjithçka në çdo ndeshje, kështu që do të jetë e vështirë”, tha 26-vjeçari për “Daily Mail”, para nisjes për në Indonezi.
Korea e Jugut e nisi në mënyrën më të mirë turneun, duke fituar me rezultatin 6-0 përballë Bahrejnit në ndeshjen hapëse. Trajneri Poketino dhe të gjithë tifozët e Totenhemit tashmë bëjnë tifo për Korenë e Jugut. Këta të fundit duhet t’i mposhtin të gjithë dhe të fitojnë medaljet e arit. Nëse ndodh ndryshe, të gjithë do të trishtoheshin. Son do të nisej drejt vendit të tij për të kryer dy vite ushtri, ndërsa Totenhemi do të humbiste një nga lojtarët më të mirë.