Kapiteni i Gjermanisë, Manuel Nojer, ka komentuar për herë të parë vendimin e Mesut Ozilit për t’u larguar nga kombëtarja gjermane, por nuk ka dhënë një opinion për të.
“Është vendim personal. Gjithsecili i kërkon vetë arsyet dhe Ozil i ka gjetur. Natyrisht, është një vendim që e pranojmë”, tha Nojer nga kampi stërvitor i Bajernit.
“Është folur e shkruar pa fund për këtë histori. Ka qenë një çështje shumë stresuese për të gjithë. Racizmi? Brenda skuadrës nuk ekziston, kjo është e sigurt. Ne jemi munduar gjithmonë që lojtarët të integrohen më së miri, që të ndihen mirë kur zbresin në fushë”.
Nojer foli edhe për të ardhmen: “Federata Gjermane tani ka për detyrë të strukturojë skuadrën dhe t’i japë asaj një fytyrë. Na duhen lojtarë që të jenë krenarë të luajnë për kombëtaren gjermane. Duhen ndryshime, natyrisht, por jo revolucion total”.