Rexhinaldo ka nisur një sfidë të re. Sulmuesi do tentojë të fitojë “Këpucën e Artë” me Kukësin, por sigurisht që edhe titullin kampion. Ish-lojtari i Laçit nuk e fsheh gëzimin që do të jetë pjesë e verilindorëve.
“Jam shumë i lumtur dhe gati për këtë sfidë të re. falënderoj klubin për mundësinë e dhënë, veçanërisht presidenti dhe drejtorin sportiv, Abrahamin dhe të gjithë ata që e bënë këtë ëndërr realitet. Unë jam një më shumë, që kam ardhur të ndihmoj dhe premtoj se do të lë shpirtin në fushë”, shkruan Rexhinaldo në llogarinë e tij në “Instagram”.
Sulmuesi gjen te Kukësi edhe Harallamb Qaqin, të cilin e ka pasur shok skuadre te Laçi. Vjet Rexhinaldo me kurbinasit regjistroi sezonin më të mirë në karrierë, teksa realizoi 21 gola: 18 në kampionat dhe 3 në Kupën e Shqipërisë.
Ai arriti t’i realizonte edhe Kukësit, të vetmin gol të Laçit kundër tyre dhe që pati shumë vlera, pasi u dha bardhezinjve në stadiumin “Zeqir Ymeri” kualifikimin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Tanimë do kërkojë golat si “kuksian”.
https://www.instagram.com/p/BlvS_R8loRF/?utm_source=ig_web_copy_link