Një ndër titullarët e Zvicrës në vitet e fundit, qendërmbrojtësi Fabian Shar, është transferuar nga Deportivo La Korunja te Nukaslli, për një shifër qesharake në futbollin modern, vetëm 4.1 milionë euro.
Një gjetje spektakolare e trajnerit të Njukasllit Rafa Benitez, i cili ka një buxhet qesharak për merkaton, për shkak se presidenti Majk Eshli nuk ka ndërmend të shpenzojë për përforcime.
Shar, i cili luajti si titullar gjithë ndeshjet e grupeve në Kupën e Botës, por mungoi për pezullim në turin e dytë, është liruar thuajse falas për shkak se Deportivo ra nga La Liga dhe një klauzolë e lejonte të largohej nëse kjo ndodhte.
Një histori e çuditshme ajo e 26-vjeçarit, i cili është një ndër lojtarët më të mirë të Zvicrës (42 ndeshje në karrierë), por në tre transferime në karrierë, nga Bazeli tek Hofenhajmi, Deportivo e tani Njukasëll, ka kushtuar gjithmonë 4 milionë euro e poshtë. Sezonin e shkuar Shar ishte ndër titullarët e Deportivos, ndërsa pas prezantimit te Njukaslli ka deklaruar: “E zgjodha Njukasllin se është një shans i madh për mua, për të treguar sa vlej, ndërsa ka qenë vendimtare prania e Rafa Benitezit. Unë nuk jam një mbrojtës tipil, sepse jam i zoti me topin, më pëlqen të luaj, të organizoj lojën që nga mbrojtja dhe mendoj se kjo është një ndër pikat e mia të forta. Kam shënuar shpesh gola me kokë, shpresoj ta bëj edhe në Premier Ligë”.
Deri tani Njukaslli ka blerë edhe portierin Martin Dubravka nga Sparta e Pragës për 4 milionë euro, ndërsa mesfushori Ki Sung-jueng është marrë falas ng Suonsi.