Sezoni i Juventusit ka nisur mbarë, me një fitore të pastër 2-0 ndaj Bajernit, edhe pse duhet thënë se bavarezët ishin me të rinjtë. Gjithsesi, trajneri i Juves, Maks Alegri, është i kënaqur dhe i gëzohet sidomos dygolëshit të sulmuesit të ri Andrea Favili, i cili gjithsesi nuk do qëndrojë te Juventusi, gjë që e zbulon vetë Alegri.
“Ishte ndeshja jonë e parë dhe jam i kënaqur nga të gjithë. Bravo Favili, për golat e shënuar. Ka potencial të madh, por besoj se do të shkojë te Xhenoa”, tha Alegri pas ndeshjes, i cili gjithashtu zbulon edhe gjëra të tjera, si për shembull e ardhmja e Higuainit, që do të largohet, edhe pse Alegri nuk ia përmend emrin.
“Nuk e di çfarë po bën klubi në merkato, sepse jam në Amerikë dhe ndryshon orari. Klubi po bën gjëra shumë të mira, kanë ardhur Ronaldo, Emre Xhan e Zhoao Kanselo, ndaj jemi përmirësuar jo pak. Sulmuesi i së ardhmes? Është Kristiano Ronaldo, do të luajë në sulm dhedo të shënojë shumë gola, si zakonisht”.
HIGUAIN BISEDON ME MILANIN – Aksi Milano-Torino mbetet shumë i nxehtë, sepseMilani e Juventusi vijojnë bisedimet për transferimin e Gonzalo Higuainit në kuqezi. Në garë është edhe Çelsi, por Blutë duket se janë tërhequr nga gara, ndërsa Higuain preferon të qëndrojë në Itali dhe i ka kërkuar Milanit 7 milionë euro neto pagë sezonale. Shifër e rëndë, por pronarët e rinj të Milanit duan një goditje të madhe për tifozët dhe po mendojnë cilët lojtarë të largojnë, për të përballuar shpenzimin për sulmuesin argjentinas.
Juve kërkon 60 milionë, Milani ka kartën Bonuçi: qendërmbrojtësi dëshiron të kthehet te Juventusi, Milani kërkon të riun Kaldara nga Juventusi në këmbim. Bardhezinjtë kanë edhe emra si Benatia e Pjaca, për të joshur Milanin. Gjithçka e ndërthurur, një telenovelë që po i japin zgjidhje Marota e Leonardo.