Zyrtare: Flamurtari gjen “numrin 1”, firmos ish-portieri i Kukësit

Flamurtari ka gjetur portierin e ri, sepse sapo ka firmosur Enea Koliçi. Ish-portieri i Kukësit kishte dalë i lirë në treg këtë verë dhe ishte në bisedime me disa klube, ndërsa ishte pranë firmës në Greqi.

Megjithatë, Flamurtari i ka bërë një ofertë joshëse dhe pas bisedimesh të gjata e ka bindur, duke i garantuar edhe vendin e titullarit, duke qenë se në Vlorë kishin mbetur vetëm të rinjtë Sali e Qirko pas largimit të Adis Nurkoviçit.

Portieri 32-vjeçar ka qenë edhe më parë pjesë e Flamurtarit, nga janari 2012 deri në verë 2013, ndërsa në Shqipëri ka luajtur edhe për Kukësin. Në dy sezonet e fundit ka qenë lojtar kyç te verilindorët, duke pasur meritë të madhe në arritjen e titullit të parë kampion.

Këtë verë Koliçi e nisi si pjesë e Kukësit, por më pas u largua, duke mos luajtur fare në Champions League. Në të shkuarën Koliçi ishte përfolur për kalim te Skënderbeu, por ngjarjet e muajve të fundit te klubi korçar kanë anuluar gjithçka dhe tashmë pogradecari nis aventurën e dytë në Vlorë.

Për Flamurtarin është afrimi i tretë, pas Kotobellit dhe Bathës, ndërsa është kthyer nga huazimi te Liria e Prizrenit sulmuesi 19-vjeçar Abdulaje Tungara.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *