Në Seria A po shtohet dita-ditës numri i lojtarëve shqiptarë. Këtë verë mund të kalojë në elitën italiane edhe një emër tjetër. Behet fjalë për mbrojtësin e ri të talentuar Lirim Kastrati, i cili ka lënë Romën për t’u vendosur nën urdhrat e Filipo Inzagit. Sipas mediave në Itali, lojtari nga Kosova do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me Bolonjën.
19-vjeçari është rritur në akademinë e Romës, ku edhe ka spikatur si futbollist. Ai është fituesi i Kupës dhe Superkupës së Italisë për të rinj në sezonin 2016/2017. Gjithashtu, Kastrati është pjesë e përfaqësueses së Kosovës, ku dhe është aktivizuar në ndeshjet kualifikuese për Botërorin Rusi 2018 ndaj Turqisë si titullar dhe ndaj Islandës si zëvendësues. Futbollisti i ri shihet si e ardhmja e futbollit kosovar dhe jo vetëm.
Nënshkrimi me Bolonjën në Seria A është një arritje tepër e madhe për një mbrojtës kaq të ri, i aftë të luajë në të djathtë, por edhe në qendër. Shpresohet që Kastrati të bëjë një paraqitje sa më dinjitoze në klubin e tij të ri italian, për të rritur akoma më shumë vlerat e tij dhe të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.