Elliott ka marrë tashmë pronësinë e Milanit dhe natyrisht nuk mund të vazhdonte me njerëzit e Jonghong Li. Pronarët amerikanë kanë nisur revolucionin, duke emëruar president Skaronin dhe duke ndryshuar gjithë Këshillin e Administrimit.
Skaroni po bën edhe administratorin e deleguar, por vetëm për pak ditë, sepse nga momenti në moment pritet që Milani të shpallë emrin e administratorit të ri. Në “pole” është një “ish”, Umberto Gandini, i cili në dy vitet e fundit ka punuar te Roma, por duket se është gati të kthehet.
Qarkullon ende emri i Gazidis, por drejtuesi i lartë i Arsenalit është i plotfuqishëm në Londër dhe zor se braktis një klub shumë solid financiarisht për një Milan plot pikëpyetje.
Ndërkaq, pas Marko Fasones do të largohet edhe Masimiliano Mirabeli. Drejtori sportiv do të takohet sot me presidentin Skaroni dhe do t’i komunikohet largimi, edhe pse është kohë merkatoje dhe Mirabeli është marrë me shumë tratativa. Vendin e tij do ta marrë Leonardo, i cili ka nisur punën dhe ka biseduar me Juventusin për Gonzalo Higuainin.