Lika trajneri i ri, por ka dy probleme madhore te Vllaznia

Në Shkodër do kërkojnë t’i mbyllin llogaritë në kampionatin e Kategorisë së Parë sa më shpejt dhe të mendojnë për sezonin e ardhshëm në elitë. Momentalisht po punohet për ndërtimin e skuadrës së re dhe hapi i parë është emërimi i trajnerit të ri.

Hasan Lika është i përzgjedhuri, por ende nuk ka një zyrtarizim. Tekniku kryeqytetas, i cili sezonin e shkuar drejtoi Luftëtarin me sukses, e ka drejtuar edhe më parë Vllazninë në elitë. Me siguri me të planifikohet edhe sezoni i mëpasshëm në elitë.

Dilemat më të mëdha lidhen me privatizimin e klubit dhe ekipin e sezonit të ardhshëm. Edhe pse është përcaktuar çmimi për shitjen e aksioneve, ende nuk ka pasur asnjë hap konkret për ta çuar më tej këtë procedurë. Kalimi i klubit në duart e privatit duhet të jetë prioritet në Bashkinë Shkodër, që gjithashtu duhet të gjejë një zgjidhje me borxhet.

Mbi 1 miliard lekë kuqeblutë i kanë borxhe dhe duhet gjetur një zgjidhje përfundimtare për to, pasi asnjë biznesmen nuk mund ta blejë klubin dhe të marrë përsipër edhe shlyerjen e tyre. Këtë vit, një pjesë e buxhetit mund të shkojë për minimizimin e borxhit, por nga ana tjetër duhet menduar edhe për lojtarët që do të mbrojnë ngjyrat kuqeblu sezonin e ardhshëm.

Nuk synohet vetëm rikthimi në elitë, por edhe ndërtimi i një skuadre që me pak ndryshime të konkurrojë edhe në Superiore më pas, ndaj kjo do të bëjë që edhe të ketë disi shpenzime. Disa prej lojtarëve të sezonit të shkuar kanë qenë të mirëpaguar dhe për të qëndruar do tentojnë të paktën të qëndrojnë në ato nivele. Gjithsesi pritet që shumë shpejt të marrin përgjigje shumë pyetje që bëhen rreth të ardhmes së Vllaznisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *