Myrto Uzuni shënoi një gol me vlerën e 260 mijë eurove. Beratasi realizoi në fitoren e Laçit kundër Anorthosis dhe bardhezinjtë do të luajnë në turin e dytë të Europa League, këtë herë ndaj norvegjezëve të Molde. Sërish rivali është favorit, pasi kurbinasit kanë një ekip modest që në grup mundohet të shkojë te suksesi.
Por si gjithmonë te Laçi është një lojtar që del në pah mbi të tjerët. Uzuni, blerja e verës së shkuar, po tregon se investimi i bërë nga presidenti Pashk Laska ka qenë i duhuri. Beratasi po ua shpërblen kurbinasve dhe në kampionat ishte shënuesi i dytë më i mirë, pas Rexhinaldos.
Një ditë më parë jo vetëm shënoi gol, por bëri kilometra të tëra. 23-vjeçari zbatoi me përpikmëri detyrat dhe shpesh herë mendoje se ishte pozicionuar si mbrojtës. U shfaq atëherë kur duhej dhe shënoi me kokë mes dy “gjigantëve” të Anorthosis.
Paraqitja e tij ka qenë një reklamë e mirë, pasi në stadium mësohet se ka pasur skautë të ndryshëm që kishin ardhur apostafat për Uzunin, i cili me Laçin ka edhe tre vite kontratë. “E ardhmja? Presidenti Laska e di, ai ka besuar shumë tek unë dhe ka investuar. Unë nuk di gjë për ofertat”, u shpreh një ditë më parë beratasi. Në klubin kurbinas tani presin oferta zyrtare…