Kualifikimi në turin e dytë të Europa League do t’i sillte klubeve tona 260 mijë euro të tjera përfitime dhe normalisht që dëshira është për të bërë përpara. Luftëtari e ka mision të pamundur, pasi ndeshjen e parë me letonezët e Ventspils e ka humbur me rezultatin 5-0. Gjithashtu edhe atmosfera në ekip nuk është më e mira. Në takimin e parë gabimet ishin të shumta, ndërkohë që krahu i majtë nuk funksionoi në tërësi. Bregu u bllokua, kurse Xhekson habiti me penalltinë e shkaktuar. Të dy priten në stol.
Luftëtari-Ventspils (Stadiumi “Elbasan Arena”, ora 20:00; Ndeshja transmetohet në RTSH 2)
Formacioni i mundshëm: Bukovski, Liçaj, Rapa, Janiçiç, Rapo, Ramadani, Aleksi, Vucaj, Milosavljev, Vucaj, Ymeraj, Shkurtaj
Partizani luan në Slloveni dhe trajneri Gega do të bëjë vetëm një ndryshim në formacion. Egzon Belica, edhe pse ka udhëtuar me grupin, nuk do të mund të luajë. Në vend të tij pritet të aktivizohet nigeriani Sodiq Atanda. Ndaj Mariborit do të jetë e vështirë për të kuqtë, pasi e kanë humbur takimin e parë 1-0, shto edhe faktin që sllovenët janë një ekip i fortë.
Maribor-Partizani (Stadiumi “Ljudski vrt”, ora 20:15; Ndeshja transmetohet në RTSH1 dhe RTSH Sport)
Formacioni i mundshëm: Hoxha, Ibrahimi, Atanda, Gojkovic, Kalari, Mala, Telushi, Trashi, Asani, Bardhi, Progni
Laçi pret në shtëpi Anorthosis Famagusta. Bardhezinjtë e kanë të qartë se duhet të luajnë me kujdes dhe të mundohen të mos pësojnë, pasi kjo do i mbante në garë për t’u kualifikuar deri në fund. Një fitore 1-0 i kalon kurbinasit më tej, pasi në Qipro janë mposhtur 2-1. Trajneri Besnik Prenga nuk do të bëjë ndryshime në formacion.
Laçi-Anorthosis Famagusta (Stadiumi i Laçit, ora 17:00; Ndeshja transmetohet në Supersport)
Formacioni i mundshëm: Selmani, Shtubina, Gjoni, Hoxhallari, Sefgjini, Eller, Lushkja, Jonuzi, Hadroj, Uzuni, Kendesh.