Gavazaj: Pa frikë në Beograd, do të guxojmë

Kosovari shprehet se është rikthyer më i fortë se më parë. Beson se skuadra e ka grupin për të kaluar me sukses edhe transfertën e vështirë me Partizanin

Të enjten, në Beograd, pritet të jetë në fushë nga minuta e parë, edhe pse me modesti thotë se më mirë se kushdo tjetër këtë gjë e di trajneri Ilir Daja. Enis Gavazaj, i cili po luan me maskë në fytyrë, në Korçë ka marrë tashmë nofkën “Zoro”. Lojtari sqaron se maskën do ta mbajë edhe në disa ndeshje të tjera. Ka shënuar golin e parë ndaj Luftëtarit dhe ndihet i lumtur për rikthimin në ndeshje, pasi mungesën prej një muaji e ka vuajtur jo pak. Pas seancës së djeshme stërvitore në Korçë Gavazaj ka folur për “Sport Ekspres”, duke shprehur besimin se në Beograd Skënderbeu  mund t’ia dalë për t’u kthyer me tri pikë.

– Gavazaj, pas më shumë se një muaji riktheheni në formacion, pasi trajneri ju llogarit kështu në Europa League. I kënaqur?

– Normalisht, jam i kënaqur së pari për rikthimin në fushën e lojës, sepse më mungonte shumë, më pas edhe për golin që shënova së fundi. Pastaj, nëse do të jem titullar në Beograd, apo në ndeshjet e tjera, atë e di më mirë se kushdo tjetër vetëm trajneri Ilir Daja. Janë gjëra që i takojnë stafit teknik.

– Çfarë përjetuat gjatë gjithë kësaj periudhe, pasi ishin shumë javë mungese në fushë?

– Më mungonin shumë të gjithë. Më mungonte fusha, më mungonin shokët, më mungonte ajo që përjetoj çdo ditë dhe ishin ditët e mia më të vështira. Me ndihëm e shokëve ja ku u riktheva dhe për këtë jam shumë i lumtur.

– Në takimin e fundit ju kemi parë me maskë në fytyrë. Do ta mbani gjatë dhe sa ju pengon në fushë?

– Do ta mbaj disa ndeshje, deri sa të mos kem asnjë rrezik në momentet e përplasjeve. Nuk është se maska më pengon shumë, por që sigurisht më e mira do të jetë kur të jem i lirshëm, pa të në fushë.

– Keni shënuar golin e parë me fanellën e Skënderbeut pak minuta pasi u futët në fushë…

– Duhet ta kisha bërë që në ndeshjet e para, por që ja duhej të vinte ky moment, që më gëzoi dyfish. Por dua të them edhe tjetrën se fati nuk ka qenë me mua. Këtë gol ua dedikoj të gjithëve atyre që më ndihmuan të rikthehem në fushë.

– Kalojmë te ndeshja e së enjtes në Beograd. Si po e përgatit këtë transfertë Skënderbeu?

– Po e përgatisim në mënyrën më të mirë dhe duam të japim gjithçka në atë ndeshje. Sigurisht, kemi edhe dy stërvitje të tjera dhe shpresoj që të mbyllen edhe këto sa më mirë për ne.

– Sa e vështirë është një ndeshje e tillë?

– Po, është shumë e vështirë dhe këtë e dimë. Madje jo vetëm kjo, por të gjitha ndeshjet europiane jashtë fushe duan një angazhim dyfish më të madh. Gjithsesi, besoj shumë se do t’ia dalim.

– Sa shanse ka Skënderbeu që nga Beogradi të kthehet me një rezultat pozitiv?

– Kemi shanset tona dhe ashtu si kemi luajtur në takimet e tjera në Europë, do të luajmë edhe këtë herë, për të marrë një rezultat pozitiv.

– Vendi i dytë në grupin B të Europa League varet nga rezultati i së enjtes. Ju si mendoni?

– Vendi i dytë në grupin B të Europa League varet nga rezultati ynë në këtë ndeshje, por edhe i ndeshjeve të tjera në vazhdim. Me një ndeshje të mirë në Beograd, them se do t’i shtojmë shanset që edhe këtë objektiv të vështirë ta arrijmë. Do të bëjmë ç’është e mundur.

Në listën e lojtarëve, për të cilët ka oferta konkrete te Skënderbeu, jeni edhe ju. Mund të na thoni diçka më shumë?

– Për këto gjëra më mirë të flasin personat përgjegjës, që nga menaxheri dhe deri te drejtuesit e Skënderbeut. Personalisht, jam i përqendruar për momentin vetëm tek ekipi për të dhënë më të mirën, pastaj të tjerat le t’ia lëmë kohës.

– Gavazaj pritet të jetë zëvendësuesi i Liridon Latifit. A do të arrini ta bëni një gjë të tillë?

– Kam ardhur te Skënderbeu për të dhënë gjithçka, të bëj më të mirën në mënyrë që skuadra të arrijë ato objektiva që ka. Deri tani besoj se e kam bërë një gjë të tillë, por do të përpiqem të jap edhe më shumë në të ardhmen.

– Mund të bëni një parashikim për ndeshjen e së enjtes?

– Shpresoj shumë që fitues në fund të këtij 90-minutëshi të jetë Skënderbeu dhe besoj shumë që do t’ia dalim. Do të japim gjithçka për gjithçka. Do të guxojmë për fitore në Beograd, sepse nuk kemi frikë asnjë kundërshtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *