Votëbesohet Juliano, Preiti: Vetëm Skënderbeu është larg nesh

0

Takim i strukturave drejtuese në Kamzë. Moxhi, Preiti, Tomori dhe Haxhija takojnë stafin teknik. Juliano vazhdon me skuadrën. Nisin planet për merkato

Humbja me Flamurtarin nuk mund të përtypej lehtë, jo për faktin se u mundën nga vlonjatet, por në vazhdën e rezultateve të tjera zhgënjyese që “demat” kanë marrë në këtë fazë të parë. Drejtori i Përgjithshëm Luçiano Moxhi ka kërkuar mbledhje me stafin teknik dhe strukturat administrative të klubit të kuq. Në kompleksin sportiv në Kamzë, ditën e djeshme, erdhën me radhë Moxhi së bashku me drejtorin sportiv Antonelo Preiti. Bashkë me to ishin edhe Genc Tomori dhe Mond Haxhija.  Ata së bashku me stafin teknik u futën në një nga dhomat e qendrës sportive dhe biseduan në prani të njëri-tjetrit, për gjendjen e skuadrës, ndërkohë që pas mbledhjes lanë edhe batutat e rastit për mediet.

DISKUTIMET – Në mbledhjen e drejtuesve është folur për problemet që ka skuadra dhe se ku duhet të ndërhyhet. Drejtuesit dhe stafi teknik kanë qenë të gjithë në një mendje se në janar duhet të ndërhyhet fort në merkato. Sulmi mbetet pika më alarmante dhe që tani drejtuesit do të studiojnë tregun për të gjetur emrin e duhur. Në diskutime është folur edhe për largimet e mundshme të merkatos së janarit. Trajneri Juliano do të nxjerrë emrat që nuk i shërbejnë për vazhdimësinë. Do të ketë shumë spastrime.   

Preiti: Stafi nuk preket, kemi diferencë me korçarët

Drejtori sportiv i Partizanit, Antonello Preiti, ka folur për mediet, pas takimit që u zhvillua mes stafit të Partizanit. Italiani ka votëbesuar zyrtarisht stafin teknik dhe për vazhdimësinë e kampionatit. Ai tregon edhe për çfarë u diskutua në mbledhje dhe për problemet e ekipit. “Ne zhvilluam një mbledhje me stafin e Partizanit për të analizuar ecurinë e skuadrës. Nuk u mblodhëm vetëm për humbjen e ndeshjes së fundit, dua ta theksoj këtë. Ishte një takim konsultativ mes nesh për të kuptuar më mirë edhe se ku kemi diçka për të riparuar. Më lejoni t’iu them se stafi i Partizanit nuk preket, është i konfirmuar”, – shprehet fillimisht Preiti. Më tej, ai vazhdon edhe me pjesën tjetër të diskutimit duke e cilësuar të papranueshëm për një klub serioz që të ndryshojë stafin në një projekt që sapo ka nisur.  “Një klub serioz nuk duhet të diskutojë stafin në një projekt që sapo ka nisur. Na vjen keq për humbjen me Flamurtarin dhe për pikët që nuk janë aty ku dëshiron dhe meriton Partizani, por gjithsesi diferenca me ekipet e tjera nuk janë aq të mëdha. Këtu bën përjashtim vetëm Skënderbeu që po ecën mjaft mirë. Pjesa tjetër nuk kanë diferenca të mëdha”, – u shpreh Preiti, pas mbledhjes për mediet.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.