Situatë kaotike te PSG, sipas medieve franceze, sepse L’Equipe raporton se pas ndeshjes së fundit, kundër Lionit, sherri i nisur në fushë mes Nejmarit dhe Edinson Kavanit vazhdoi edhe në dhomat e zhveshjes. Gjithçka nisi për një penallti e një faull, me dy lojtarët që u grindën se kush do të gjuante. Nejmari i mori Kavanit të drejtën për të ekzekutuar faullin, ndërsa Kavani nuk e lejoi brazilianin të gjuante 11-metërshin.
Pas ndeshjes të dy patën gjëra për të thënë mes tyre, aq sa flitet se u arrit deri te përplasja fizike, ku u desh ndërhyrja e gjithë lojtarëve të tjerë për të evituar përleshjen. Tani raportohet se Nejmari ka kërkuar falje para gjithë skuadrës për sjelljen e tij, duke premtuar se nuk do të krijojë më probleme. Gjithsesi, mediat franceze janë të sigurta se Nejmari ka kërkuar nga pronarët e klubit që Kavani të largohet në janar ose në fund të sezonit.