Thashetheme pa fund, që janë ndezur sërish nga fakti që Plaku nuk është përfshirë në listën e Skënderbeut për Europën
“Albi Doka është shumë pranë Skënderbeut”. Ky ishte lajmi që burime shumë pranë klubit Tirana bënin me dije dje. Sipas tyre, futbollisti do të kalojë tek korçarët, që kanë lejuar kthimin e Sebino Plakut bardheblu. Thashetheme që në fakt qarkullojnë prej ditësh dhe të paktën nga Korça nuk ka pasur asnjë reagim zytar. Ndërkaq, vetë Doka dhe klubi bardheblu nuk e konfirmojnë një lajm të tillë. Klubi, i kontaktuar dy ditë rresht, e ka mohuar preras një fakt të tillë. Edhe trajneri Ze Maria është shprehur të shtunën se merkatoja është mbyllur dhe Albi Doka nuk largohet. Klubi ka mbajtur një qëndrim të patundur dhe shprehet se lojtari nuk do të lejohet të largohet nga ekipi bardheblu, pasi ka një kontratë tre-vjeçare. Nëse do të ndodhë ndonjë marrëveshje, atëherë do të jetë vetëm Refik Halili ai që do të japë viston që Doka të shkojë në Korçë. Ndërkaq, mësohet se Sebino Plaku mund të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe të kthehet te Tirana ku e presin krahëhapur. Merkatoja është ende e hapur dhe ka kohë për të konkretizuar gjithçka, nëse arrihet marrëveshja, por Skënderbeu ka dalë blof deri tani dhe fakti që ka dorëzuar listën e federimeve në Europa League bën që Doka të jetë shumë larg.