Cungu, pjesërisht i kënaqur me Vllazninë e djeshme

0

Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, tekniku i Vllaznisë, Armando Cungu, është shprehur pjesërisht i kënaqur me lojën e skuadrës së tij. “Mund të them se ishte një pjesë e parë përgjithësisht pozitive ku sidomos në 30 minutat e para e kemi dominuar lojën, kemi qarkulluar mirë topin dhe për rrjedhojë erdhi edhe goli. Pas minutës së 30-të na ra ritmi disi megjithatë e mbyllëm këtë pjesë në avantazh”, u shpreh tekniku kuqeblu për 45 minutat e para. Ndërkohë, duke folur për 45 minutat e dyta, ai thotë se pas fillimit të zëvendësimeve në skuadër ka rënë disi niveli i lojës së kuqebluve. Megjithatë, për Cungun, Vllaznia pati edhe dy-tre momente që duhej t’i shfrytëzonte për të mbyllur ndeshjen, por që futbollistët e tij gabuan në finalizim. “Kundërshtari e rriti lojën dhe pas një aksioni shënuam autogol në portën tonë duke regjistruar një barazim një me një në këtë miqësore e cila në fakt nuk na vlejti shumë”,- shprehet Cungu duke pasur parasysh mungesat e Krymit që është me Shpresat, Hasanit, Gocajt, Çinarit dhe Atsinës që kishin probleme dëmtimesh duke mos i rrezikuar, problemeve në doganë me Orelesin duke i shtuar edh atë të Vecajt të larguar dy ditë më përpara. Pikërisht për këtë arsye, duke pasur të bëjmë me 70 për qind të formacionit që mungonte, Cungu është i mendimit që kjo miqësore nuk është se i vlejti shumë. Ndërkohë, duke folur në përgjithësi për skuadrën, Cungu shprehet se duhet të mendojnë për ndeshjen e parë të kampionatit, ndonëse skuadra e theksoj nuk është e plotë në reparte të caktuara”.

Largohet portieri Melka

Nëse ka pasur diçka që i ka vlejtur Vllaznisë në këtë miqësore, ajo ka të bëjë me mundësitë që iu dha për të testuar portierin e ardhur për provë, korçarin e aktivizuar në kampionatin grek Ilia Melka. Ka qenë kjo arsyeja që tekniku Cungu së bashku me trajnerin e portierëve Avenir Dani e kanë aktivizuar Melken që nga minuta e parë në përballjen miqësore me Deçiçin, takim ky i luajtur dje pasdite në Tuz dhe që përfundoi në barazim 1 me 1. Për Melken, opinionet nga ana e stafit nuk kanë qenë pozitive, kjo do të thotë se ai nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e Vllaznisë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vete tekniku Cungu në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes, ku është shprehur: “Sa i takon portierit Melka që provuam në këtë ndeshje, duhet të them se ai nuk kishte përgatitje të mjaftueshme fizike dhe për rrjedhojë Vllaznia nuk mund ta prese atë prandaj dhe do të largohet”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.