PSG shpenzoi 222 milionë euro vetëm për t’i rrëmbyer Barcelons Nejmarin, por presidenti Al-Kelaifi deklaroi se llogaritë e klubit janë në rregull dhe UEFA është e lirë të hetojë.
Megjithatë, tani në Paris duan edhe Kilian Mbapenë, i cili kushton mbi 150 milionë euro, ndaj gjithë ky lumë milionash duhet mbuluar patjetër, të paktën pjesërisht, me disa shitje.
I pari që ka bërë valixhet është sulmuesi Hese Rodrigez, një operacion totalisht i dështuar, sepse PSG i pagoi 25 milionë euro Realit vjet, ndërsa në janar e huazoi te Las Palmas. Totali, 5 gola në një sezon të dështuar, ndaj tashmë PSG e ka huazuar te Stouk Siti, me shpresën se sulmuesi do të ringjallet dhe vlera e tij në treg do të rritet sërish.
Mesfushori Matuidi ka marrë ofertë nga Juventusi dhe po mendohet, sepse dëshiron të luajë titullar para Botërorit dhe në të dyja klubet ka një konkurrencë të frikshme.
Mbrojtësi Orie është gjithashtu në shitje, pasi është nxjerrë jashtë skuadre në Paris dhe ka oferta të rëndësishme nga Totenhemi e Mançester Junajtid, por mund të shkojë në Angli vetëm nëse i hiqet një dënim i marrë në shtator me dy muaj burg për agresion ndaj një polici.
Mesfushori Krihoviak është një tjetër futbollist që ka dështuar në Paris dhe PSG shpreson ta shesë sa më shpejt, sepse i kushtoi 30 milionë vjet dhe ka një pagë prej 4,8 milionë eurosh neto.
Fantazisti Hatem Ben Arfa është një tjetër lojtar i panevojshëm, por ai nuk pranon të largohet pa marrë si dëmshpërblim 7 milionë eurot e vitit të fundit të kontratës.
Në fund, edhe gjermani Draksler mund të përfundojë në shitje, sepse PSG nuk e konsideron titullar dhe pasi shpenzoi 40 milionë vjet për ta blerë, tashmë e shet për të njëjtën shifër.