Murinjo i ka drejtuar një lutje të fundit bosëve të klubit për të bërë gjithçka për të sjellë në “Old Trafford” yllin e Realit të Madridit, Garet Bejl. Si rrallë në konferencat e tij për shtyp, Murinjo këtë verë ka qenë i hapur në lidhje me pëlqimin për ish-lojtarin e Totenhamit. Ndaj ai i ka kërkuar klubit dhe një tjetër sforco financiare për të sjellë në “Old Trafford” uellsianin. Murinjo ka shpenzuar 165 milionë sterlina deri më tani, por ai shpesh ka thënë se pret dhe një blerje të fundit, ku emri i vetëm mbetet ai i Garet Bejl. Për të sjellë uellsianin në Angli, Mançesterit do t’i duhet të paguajë rreth 100 milionë sterlina. Pas humbjes me Realin e Madridit në finalen e superkupës së Evropës në Shkup, Murinjo i pyetur për Garet Bejl ka thënë shkurt “game over” (punë e mbaruar). Por edhe pse kështu, Murinjo i ka kërkuar shefit të klubit Ed Uduard edhe një përpjekje të fundit për të bindur Realin të lërë të lirë yllin e vet.
Pëlqehet dhe Deni Roz – Sakaq, Mançesteri është vënë në lëvizje edhe për mbrojtësin e Totenhamit, Deni Roz. Megjithatë, “Djajtë e kuq” kanë lënë të kuptohet se këtë vit do të jetë e vështirë të arrijnë te ai, por po përpiqen të mbyllin gjithçka për verën e ardhshme.