Largimi i Mazrekajt, historia e një ylli që nuk ndriçoi sa duhej

“Menqa” është një ndër lojtarët më të mirë shqiptarë, një mjeshtër i topit, që fatkeqësisht nuk arriti aty ku duhet. Dëmtimet dhe karakteri, probleme madhore

Mentor Mazrekaj u largua përfundimisht nga ekipi i Partizanit. Mesfushori kosovar ka nënshkruar me ekipin e Prishtinës duke u thënë mirupafshim të kuqve. Lamtumira është e vështirë të thuhet në kështu rastesh edhe pse mundësitë që rrugët e tyre të takohen përsëri janë shumë të limituara, për të mos thënë zero.
E vështirë kjo ndarje, pasi Mazrekaj për 4 vitet e kaluara te “demat” ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes, herë për mirë e herë për keq, ai ishte aty, gati për të bërë një nga bëmat e tij, brenda dhe jashtë fushe.
Largimi i “Menqës” është i vështirë edhe për shkak të lidhjes së tij me tifozerinë e Partizanit. Mesfushori ishte një nga idhujt e të kuqve, në fakt edhe i sportdashësve në stadiume, pasi lëvizjet e tij i jepnin pak shije futbollit fizik dhe të skemave “portier-sulmues” që shohim zakonisht në Super-ligën tonë.
Fatkeqësisht, Zoti nuk t’i fal të gjitha, pasi nëse Mazrekajt i dha shumë talent, i dha edhe dëmtimet, por edhe i mori shumë nga vullneti dhe disiplina, e nëse do të kishte pasur edhe nga këto të dyja, atëherë Shqipëria do të ishte duke shijuar një lojtar që do të luante, pse jo, në ekipet mesatare të Europës.

AFRIMI – Ishte viti 2013, Partizani rikthehej në Superligë pas një endje 4 vjeçare në kategoritë më të ulëta. “Demat” punonin për merkaton dhe donin të afronin lojtarët e duhur për të bërë mirë. Trajneri i asaj kohe, Shpëtim Duro, afronte në ekipin e kuq një lojtar të panjohur nga Kosova. Mesfushori Mentor Mazrekaj linte Prishtinën për të bërë një tjetër hap në karrierën e tij si futbollist, kalimin nga një ekip “modest” te një skuadër me një histori të pasur në Shqipëri. A kishin besim te ai? Jo, paragjykimi zuri menjëherë vend, pasi nuk mund të “rikthehej” Partizani i madh me një futbollist që ishte i panjohur..

CILËSITË – Mjaftoi viti i parë në Superligë për t’u bindur të gjithë se Mazrekaj ishte një superfutbollist. I mirë teknikisht dhe “magjistar” kur sfera ishte në kontrollin e tij. Kundërshtarët e kishin të vështirë ta ndalonin, pasi herë me elasticitet e herë me zgjuarsi, arrinte t’i driblonte. Ndër veçoritë e mira mund të përmendet edhe goditja e tij e pastër dhe e saktë. “Menqa” shënonte nga afër edhe nga larg. Në sezonin e tij të parë luajti 27 ndeshje nga të cilat 25 si titullar dhe shënoi 2 gola. Mjaftuan këto statistika dhe paraqitjet e tij të mira për t’u betuar se Mazrekaj shumë shpejt do të shitej në ndonjë klub në Europë.

NJERIU DERBI – Sezoni i dytë me “demat” ishte edhe më i mirë për Mazrekajn. Statistika të frikshme dhe “zyrtarisht” ishte kthyer në “njeriun e derbit”.
Kosovari koleksionoi 31 ndeshje dhe 8 gola, shifra që të fusnin frikën. Partizani tashmë i falej atij, rrjetat e shënuara në derbi, një motiv më shumë për të lartësuar “Menqën”. Mesfushori realizoi në një fitore 2 me 0 ndaj Tiranës, por edhe në një barazim 2-2. Kjo e ktheu në idhullin e tifozerisë.

PROBLEMET – Mazrekaj u kthye në të preferuarin e tifozerisë dhe madje edhe presidenti Gaz Demi kishte një afeksion për të. Futbollisti nuk e shfrytëzoi si duhet këtë moment dhe filloi duke lëshuar nga disiplina dhe sjellja e tij, ndonjëherë linte për të dëshiruar. Statusi i “të paprekshmit” ndikoi shumë keq te ai dhe nuk zgjati shumë. Problemet e para nisën me trajnerin Andrea Agostineli. Italiani në momentin që ishte në krye të skuadrës, pati një përplasje të fortë për faktin që mesfushori nuk mbronte dhe nuk sakrifikohej mbrapa. Për fatin e keq të kosovarit, përplasja u shoqërua me dëmtimin e tij dhe gjithçka mori për keq. Karriera e tij nisi kurbën rënëse…

DËMTIMI – Mazrekaj ka vuajtur dhe po vuan prej dy vitesh nga një dëmtim “misterioz”. Kur në krye të skuadrës ishte trajner Andrea Agositneli, ai nuk arriti të ndihmonte shumë ekipin, pasi luajti vetëm 20 ndeshje dhe shumicën kur në krye të skuadrës ishte Starova. “Menqa” iu nënshtrua një operimi në kavilje dhe për fatin e tij të keq gjithçka shkoi keq. Ai kishte akoma probleme dhe çalonte në stërvitje. Për të mos mjaftuar kjo, ai u përball edhe me “diktatorin” Adolfo Sormani. Trajneri italian ishte një njeri mjaft i ashpër dhe nuk toleroi “kapriçot” e Mazrekajt. Sormani e nxori jashtë ekipit dhe justifikim ishte edhe dëmtimi i tij. “Menqa” nisi përsëri kalvarin e vuajtjeve në spitale për të gjetur shpëtim. Pas shumë konsultave dhe mjekimeve u pranua zyrtarisht se operacioni i tij kishte shkuar keq dhe duhej të trajtohej sërish. Në janarin e 2017 u duk se lojtari i kishte kaluar përfundimisht problemet dhe mund të rikthehej në fushë. Trajneri Starova u tregua mjaft i kujdesshëm me të dhe e afroi pak nga pak me ekipin, por nuk ia doli. Mazrekaj vazhdonte të kishte probleme dhe pasi luante në ndeshje nuk arrinte të stërvitej me grupin dhe duhej të ndalonte programin e ekipit duke bërë pushim absolut.

LARGIMI – Partizani u lodh nga problemet fizike dhe mungesa e progresit të Mazrekajt. E pritën pafund dhe i dhanë shumë mundësi, zor se ndonjë ekip tjetër do e bënte. Duke parë edhe interesimin e Prishtinës për kosovarin, por edhe dëshirën e këtij të fundit për t’u larguar, u mendua se lëvizja më e mirë ishte shkëputja e marrëdhënieve mes tyre. Tashmë, “Menqa” do të mundohet të “ndizet” sërish nga aty ku e nisi…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *