Pipo Inzagi do të vazhdojë të drejtojë Venecian dhe lajmi për një interesim të Shqipërisë nuk është se i ka bërë shumë përshtypje.
Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka publikuar asnjëherë ndonjë listë zyrtare emrash me të cilët po bisedohet, sepse presidenti Armando Duka ka biseduar personalisht me trajnerë e agjentë, duke mos qenë asnjëherë konkret për emra të veçantë.
Tani mund të hiqet pa frikë nga lista SuperPipo, nëse në listë ka qenë ndonjëherë. Logjikisht, në Itali trajnerët e kanë si synim kombëtaren vetëm në fund të karrierës, për të braktisur punën e lodhshme në klub dhe për të drejtuar një kombëtare, edhe si çmim karriere.
Për këtë arsye, Inzagi asnjëherë nuk e ka marrë seriozisht idenë e drejtimit të Shqipërisë, duke e ditur se është ende shumë herët dhe gjithashtu Shqipëria mund ta djegë si trajner, pasi është e qartë që nuk ka ndonjë brumë që të shkojë rregullisht në Europianë e Botërorë.
Sot Venecia ka nisur grumbullimin për sezonin e ri dhe nesër skuadra do të nisë punën në Sapada, në Beluneze, ku do të qëndrojë deri më 18 korrik, ditë kur do të niset për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballet me Detroiti.
Inzagi është entuziast: “Jam i kënaqur që po rifillojmë, kemi four me drejtuesit dhe kemi ndërtuar strategjitë. Pas dy ngjitjesh rresht një kategori më sipër, tashmë titulli ynë është mbijetesa në Serinë B, ndaj edhe në kontratë kam një premio në rast qëndrimi. Do të bëjmë disa afrime cilësore dhe shpresoj që Venecia të jetë surpriza e turneut”.
Ndërkaq, presidenti Xho Takopina ka bërë humor për zërat që çonin Inzagin pranë Shqipërisë: “Kam qeshur kur dëgjova që Shqipëria kërkonte Inzagin. Atje nuk kanë bresaola (lloj sallami i famshëm në Venecia) dhe Pipo e ka shumë të nevojshme, ndaj nuk mund të shkonte. Është entuziast për suksesin që po arrin te Venecia, ndaj nuk jam shqetësuar kurrë nga interesimi i të tjerëve”.
Siamo tornati! ? #VFC pic.twitter.com/D7t6dEeHO0
— Venezia FC (@VeneziaFC_IT) May 8, 2017