Mbrojtësi ka lënë Gjermaninë dhe këto ditë pret të bisedojë me drejtuesit pukjanë
Gani Pema
Klodian Sulollari, me shumë gjasa mund të rikthehet në Pukë. Sulollari, ka luajtur edhe më parë me pukjanët, në Kategorinë e Parë dhe në Superiore. Madje edhe në pjesën e parë të edicionit të shkuar ishte pjesë e skuadrës pukjane. Por, u largua në Gjermani, në një prej ekipeve të ligave të ulëta të shtetit gjerman. Pasi provoi një eksperiencë atje, është rikthyer dhe ka shumë gjasa që të bëhet pjesë e Tërbunit si edhe e konfirmon vetë: ”Në qoftë se do të kem një ofertë konkrete dhe skuadra do të futet në garë me pretendime, jam gati të rikthehem në Pukë. Kam kaluar shumë mirë në atë qytet dhe jam respektuar nga ish-drejtues e tifozeria. Jam gati që të vesh sërish fanellën pukjane nëse do të jete pretendente për t’u ngjitur në elitë”, ka theksuar dje për “Sport Ekspres”, Klodian Sulollari, mbrojtësi kryeqytetas që ka luajtur edhe në Superiore vitet e shkuara.
MBËSHTETJA – Tifozët pukjanë, kanë ditur që të mbështesin skuadrën e tyre të zemrës edhe në transferuat më të largëta. Kujtojmë dy vite më parë, kur skuadra luajti në Gjirokastër me Bylisin dhe pukjanët e shpalosën edhe aty banerin e tyre. Por, ata tashmë janë duke diskutuar për skuadrën e sezonit të ardhshëm dhe kanë dëshirë që të kenë një ekip me pretendime ashtu si edhe vitet e shkuara, duke përjashtuar atë të vjetshmin. “Duam që në Pukë të kemi një skuadër futbolli që të ketë synime madhore dhe të bëj futboll të bukur, duke bërë që të harrohet sa më shpejt sezoni i shkuar. Natyrisht, që dëshira jonë parësore është që Kreshnik Krepi dhe pjesa më e madhe e lojtarëve të rëndësishëm të qëndrojnë. Besojmë shumë, se me afrimin dhe mbështetjen e biznesmenit Paulin Luli, apo donatorëve pukjanë, ne, do të ndërtojmë një ekip solid në sezonin e ardhshëm”, kanë pohuar dje për “Sport Ekspres”, tifozët pukjanë.