Trajneri i Skënderbeut flet pas kthimit nga Sllovenia dhe bën të ditur gjendjen e ekipit të tij pesë ditë përpara ndeshjes së turit të parë
Leonard Trebicka
“Të them të drejtën, dje jam futur në internet për të marrë edhe informacionin e plotë për Sant Julia. Mund t’u bëj me dije se ka pak informacion. Kam parë një ndeshje të kampionatit të tyre dhe shumë shpejt do të bëj një përmbledhje për t’ua bërë të ditur edhe futbollistëve”. Këto kanë qenë disa nga fjalët e djeshme të trajnerit të Skënderbeut, Ilir Daja, ndërkohë që dje për herë të parë pas më shumë se katër javësh mungesë ka kryer edhe stërvitjen e parë në qytetin juglindor. Daja, dje në këtë intervistë për “Sport Ekspres” ka folur për mundësinë e një afrimi në limitin e lejimit të federimeve. Gjithashtu ka dhënë një opinion për Afrim Takun, përgatitjet e deritanishme dhe për atë që pret të japë Skënderbeu në fushë qysh të enjten e ardhshme.
…
-Profesor, pas katër javësh riktheheni në stërvitjen e parë në qytetin e Korçës. Jeni gati për ndeshjen e Europa League?
-Mendoj që jemi gati. Kemi zhvilluar një minifazë përgatitore prej dy javësh në Slloveni, ku kemi punuar nga dy seanca në ditë. Pothuajse ekipi tani është gati. Është çuar edhe lista me emrat e futbollistëve në UEFA dhe janë këta lojtarë që do të jenë pjesë e skuadrës në këtë tur të parë. Ka vetëm një alternativë, që lejohet që edhe një ditë përpara ndeshjes që ne të federojmë edhe një tjetër lojtar, por unë konfirmoj se ky është grupi për dy ndeshjet e para. Kemi një kondicion të mirë, pasi jemi futur në ritmin që kishim në fazën e katërt. Këto 4-5 ditë që na kanë mbetur do t’i vëmë theksin ekuilibrit taktit dhe të mbyllim në këtë mënyrë edhe përgatitjet .
-Thatë që mund të federoni edhe një lojtar, pasi ua lejon rregullorja. Mos e keni gati lojtarin që do afroni?
-Jo, sepse ne jemi duke studiuar për momentin 2-3 lojtarë për një vend në repartin e sulmit, sepse atje kemi edhe nevojë për shkak të boshllëkut që kemi në këtë repart. Sigurisht nuk e fsheh ta them që atje kemi edhe problemet më të mëdha. Mendoj që nëse do të jetë një lojtar që do të bëjë diferencën me këta që kemi aktualisht, përse të mos e federojmë edhe një në momentin e fundit. Nëse nuk bën diferencën, atëherë nuk kemi përse të nxitohemi, sepse ky grup që kemi nuk është vetëm për Europën, por është edhe për të përballuar kampionatin e ardhshëm.
-Meqenëse jemi te sulmi, a beson Daja te Vujoviç, pasi malazezi duket se është zgjedhja e parë në sulm?
-Të them të drejtën, secilit lojtar që vjen te Skënderbeu duhet t’i japësh edhe kohën e vet të përshtatjes, që do të thotë se duhet ta ketë kaluar këtë proces kohe dhe atëherë edhe mund t’i jap edhe një përgjigje më të saktë pyetjes që më bëtë edhe ju.
-Në stërvitjen e sotme është parë edhe Afrim Taku, që tashmë dihet që do të jetë pjesë e Skënderbeut. Një forcë më shumë për ekipin që drejtoni…
-Patjetër që është një forcë më shumë, sepse dihet që Taku në periudhën që ka qenë te Tirana ka luajtur si sulmues krahu, apo si mesfushor krahu. Kjo do të thotë se do të rrisë rivalitetin në repartin e sulmit. Unë kam edhe një alternativë më shumë në këtë repart. Gjithashtu edhe Takut i duhet koha e tij e përshtatjes me grupin, pasi është dita e parë e seancës që ai bën me ekipin. Duke parë se kush do të jetë më në formë, do vendoset se kush do ta startojnë në ndeshjen e parë ndaj Sant Julia.
-Sa e njihini skuadrën kundërshtarë në Europa League?
-Të them të drejtën, dje jam futur në internet për të marrë edhe informacionin e plotë dhe mund t’u bëj me dije se ka pak informacion. Kam parë një ndeshje të kampionatit të tyre, por problemi nuk është vetëm ajo që ta njoh unë si trajner, sepse do ua përcjell në mënyrë verbale edhe lojtarëve. Këtë informacion, ashtu siç kemi bërë edhe në ndeshjet e kampionatit, do të mundohem që nëpërmjet montazhit të disa videove t’ua përcjell lojtarëve mënyrën se si ata luajnë dhe kush mund të jenë anët e forta dhe jo të forta të skuadrës tonë kundërshtare.
-Po skuadrën e Kairat, apo Atlantës, që mund të jenë kundërshtarët e mundshëm për turin e dytë a po i studioni?
-Të them të drejtën nuk kam përse t’i studioj, pasi duhet të fokusohemi të gjithë te ndeshja e parë dhe të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe lojtarët. Nëse unë do të mendoj për ndeshjen tjetër, atë do të bëjnë edhe lojtarët e mi dhe kjo do të thotë që do të kemi më shumë probleme në turin e parë. Kështu që jemi 100% të përqendruar vetëm te turi i parë.
-Së fundi, e kalon Skënderbeu me Dajën në krye skuadrën nga Andora?
-Është një short i mirë për Skënderbeun dhe jo vetëm për Dajën. Kështu që nëse ne do të hyjmë në fushë me vlerësim maksimal për kundërshtarin, unë besoj që i kemi të gjitha mundësitë për të kaluar më tej.